Fillimi i vitit 2026 ka qenë i rëndë për shumë familje në Kosovë. Përmbytjet morën disa komuna e shkaktuan telashe me ujin e pijes. Për ta rënduar gjendjen, nga e mërkura e 14 janarit, qytetarët nisën të përballen edhe me mungesë të energjisë elektrike.
Një ditë më parë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka njoftuar se është i detyruar të aplikojë reduktime të rrymës për shkak të mbingarkesës së rrjetit. Sipas KOSTT-it, kjo ndodh për shkak të diferencës mes nominimeve dhe konsumit real në ditët e fundit. Devijimet kanë rritur rrezikun për stabilitet dhe mund të sjellin masa ndëshkuese ndaj KOSTT-it nga rrjeti evropian.
Ndërkaq të mërkurën Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka thënë se sistemi po përballet me situatë të jashtëzakonshme, si pasojë e rritjes së konsumit.
Për shkak të rritjes së konsumit, sipas KESCO-s, kapaciteti nuk po mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor dhe se rreth 50 për qind e energjisë po sigurohet përmes importit.
“Aktualisht, kapacitetet ndërkufitare janë të kufizuara dhe kjo po krijon presion të madh në sigurimin e sasive të nevojshme. Furnizuesi ka vepruar dhe vazhdon të veprojë me përgjegjësi të plotë, duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet e nevojshme për mbulimin e nominimeve të energjisë elektrike, si përmes kontratave bilaterale, ashtu edhe përmes tregtimit një ditë para dhe ofertave brenda-ditore. Megjithatë, për shkak të realitetit aktual të tregut dhe kufizimeve ndërkufitare, ku kufiri Kosovë–Serbi nuk është funksional në aspektin komercial, ndërsa kufijtë me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kanë kapacitete të kufizuara që nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjithë kërkesën e vendit, sigurimi i energjisë elektrike sipas nevojës reale mbetet i vështirë”, thuhet në njoftim.
Kjo ndodh në ditët kur familje të shumta si pasojë e vërshimeve po përballen me mungesë të ujit të pijes. Vërshimet kanë turbulluar ujin dhe në disa vende ai nuk është më i pijshëm, por mund të përdoret vetëm për nevoja teknike.
E një ditë më parë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se si pasojë e turbullirës as uji që vjen nga fabrika e trajtimit të ujit të Badocit, nuk rekomandohet për pije. Kjo, sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, pritet të zgjasë 2-3 ditë.

