Hykmete Bajrami ka njoftuar dorëheqjen e saj të parevokueshme nga posti i nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke kërkuar njëkohësisht që nga pozitat drejtuese të tërhiqet edhe kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Vendimi është bërë i ditur gjatë një takimi joformal të strukturave drejtuese të LDK-së, të mbajtur të martën pasdite.
Sipas burimeve brenda kryesisë, Bajrami ka vlerësuar se udhëheqja aktuale e partisë ka humbur legjitimitetin politik pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Ajo ka kërkuar që përgjegjësia politike të trajtohet në përputhje me praktikat dhe standardet e deritanishme të LDK-së, duke përfshirë dorëheqje të kryesisë së ngushtë.
Arsyetimin e saj, Bajrami e ka formalizuar përmes një letre të dorëzuar në organet e partisë. Megjithëse pas takimit pritej një deklarim publik, ajo deri më tani nuk është prononcuar për media dhe nuk ka reaguar ndaj thirrjeve apo mesazheve.
LDK-ja në zgjedhjet e fundit ka marrë 13.23 për qind të votave, një rënie prej rreth pesë pikësh krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025. Si pasojë, partia do të ketë 15 deputetë në legjislaturën e dhjetë, pesë më pak se në mandatin e kaluar.
Pavarësisht rezultatit të përgjithshëm të partisë, Hykmete Bajrami ka qenë ndër kandidatet më të votuara të LDK-së, duke u renditur e dyta me rreth 57 mijë vota, çka i jep peshë shtesë zhvillimeve të fundit brenda partisë.

