Çdo vit, 15 janari rikthen në kujtesën kolektive një nga periudhat më të dhimbshme të historisë së Kosovës, duke nderuar viktimat e gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar.
Ramadan Avdiu nga Qendra e Gjenocidit në Kosovë “Plagët e Hapura” në Klan Kosova theksoi se kjo datë mbetet një moment reflektimi dhe përkujtimi kombëtar.
Ai kujtoi se Parlamenti i Kosovës, më 16 maj 2019, ka miratuar Rezolutën për gjenocidin e ushtruar kundër shqiptarëve në Kosovë, në kuadër të së cilës 15 janari është caktuar zyrtarisht si ditë përkujtimore për viktimat e këtij gjenocidi,
“Ky përvjetor gjithmonë na kthen prapa, ku përkujtohen viktimat e gjenocidit të ushtruar nga pushtuesit serb mbi popullin shqiptar në Kosovë. Parlamenti i Republikës së Kosovës më 16 maj 2019 ka aprovuar rezolutën për gjenocidin e ushtruar kundër shqiptarëve në Kosovë, në kuadër të së cilës, 15 janari është përcaktuar si datë për shënimin dhe përkujtimin e viktimave të gjenocidit të ushtruar në Kosovë”, tha Avdiu.
Sipas tij, 15 janari është zgjedhur pikërisht për shkak të krimit gjenocidal të kryer në Reçak, një ngjarje që tronditi opinionin vendor dhe ndërkombëtar dhe që shënoi një pikë kthese në ndërgjegjësimin global për krimet në Kosovë.
“Krimi në Reçak nuk duhet parë i shkëputur nga krimet e tjera. Kjo datë përfshin të gjitha aktet gjenocidale të ushtruara ndaj popullit tonë,” u shpreh Avdiu në emisionin “Ora Shtatë”.
Përkujtimi i 15 janarit, sipas tij, nuk është vetëm një akt nderimi për viktimat, por edhe një thirrje për drejtësi, të vërtetë dhe mosharrim, në mënyrë që krime të tilla të mos përsëriten kurrë më

