Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nisjen e një reforme të re kushtetuese, e cila pritet të konkretizohet në fund të këtij mandati parlamentar. Gjatë fjalës së tij në mbyllje të takimit me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama theksoi nevojën për ngritjen e një grupi pune që do të merret me ndryshimet kushtetuese, duke rikthyer në vëmendje edhe propozimin për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend.
Sipas kreut të qeverisë, Kuvendi i Shqipërisë mund të funksionojë më eficient me një përfaqësim më të vogël numerik. “Kemi Kuvend me 140 deputetë, fare mirë mund të kemi Kuvend me 100 vetë”, u shpreh Rama, duke nënvizuar se ky ndryshim do të sillte një organizim më racional dhe më funksional të institucionit ligjvënës.
Rama theksoi se ndryshimet kushtetuese nuk janë një proces i thjeshtë dhe shkojnë përtej reformës zgjedhore. Ai tha se Kushtetuta kërkon trajtim serioz nga ekspertë të fushës, të cilët kanë njohuritë dhe përvojën e nevojshme për të analizuar dhe adresuar problematikat ekzistuese. “Kur vjen fjala te Kushtetuta e Shqipërisë, duhet ngritur një grup që të hapë një proces të gjerë konsultimi dhe angazhimi”, deklaroi ai.
Kryeministri nënvizoi se një reformë e tillë kërkon kohë, burime dhe angazhim të gjerë politik dhe institucional. Sipas tij, ambicia e mazhorancës është që në përfundim të mandatit aktual të realizohet edhe miratimi i një reforme kushtetuese gjithëpërfshirëse, e cila do të adresojë jo vetëm përbërjen e Kuvendit, por edhe aspekte të tjera themelore të funksionimit të shtetit.
Ky paralajmërim pritet të hapë debat të gjerë politik dhe publik mbi nevojën dhe drejtimin e ndryshimeve kushtetuese në vend.

