Zyrtarët e administratës Trump kishin qenë në diskutime me ministrin e brendshëm të Venezuelës, Diosdado Cabello, muaj para operacionit amerikan për të kapur Presidentin Nicolas Maduro, dhe kanë qenë në komunikim me të që atëherë, sipas shumë personave të njohur me çështjen.
Zyrtarët e paralajmëruan Cabellon, 62 vjeç, kundër përdorimit të shërbimeve të sigurisë ose mbështetësve militantë të partisë në pushtet që ai mbikëqyr për të synuar opozitën e vendit, thanë katër burime. Ky aparat sigurie, i cili përfshin shërbimet e inteligjencës, policinë dhe forcat e armatosura, mbetet kryesisht i paprekur pas bastisjes amerikane të 3 janarit.
Cabello përmendet në të njëjtën aktakuzë për trafik droge në SHBA që administrata Trump e përdori si justifikim për të arrestuar Maduron, por nuk u mor si pjesë e operacionit.
Komunikimi me Cabello-n, i cili ka prekur edhe sanksionet që SHBA-të i kanë vendosur atij dhe aktakuzën me të cilën ai përballet, daton që nga ditët e para të administratës aktuale Trump dhe ka vazhduar në javët pak para rrëzimit të Maduros nga SHBA-të, thanë dy burime të njohura me diskutimet. Administrata gjithashtu ka qenë në kontakt me Cabello-n që nga rrëzimi i Maduros, thanë katër nga personat.
Komunikimet, të cilat nuk janë raportuar më parë, janë kritike për përpjekjet e administratës Trump për të kontrolluar situatën brenda Venezuelës. Nëse Cabello vendos të lëshojë forcat që ai kontrollon, kjo mund të nxisë llojin e kaosit që Trump dëshiron të shmangë dhe të kërcënojë kontrollin e pushtetit të Presidentes së përkohshme Delcy Rodriguez, sipas një burimi të informuar mbi shqetësimet e SHBA-së.

