“Kërcënim për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”/ BIRN: Mesazhi amerikan për grupet kriminale të drogës. Për kë bien këmbanat?

by Nexhat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i konsiderojnë grupet kriminale shqiptare dhe lidhjet e tyre me kartelet e drogës në Amerikën Latine si rrezik për sigurinë e Shqipërisë, duke kërkuar forcim të institucioneve të drejtësisë në luftën kundër tyre.

Shqetësimi u përcoll nga e Ngarkuara me Punë në Tiranë, Nancy VanHorn, gjatë një mesazhi  të publikuar të premten nga ambasada amerikane në Tiranë.

banner

“Rrjetet kriminale, përfshirë grupet shqiptare që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine të përmendura nga Sekretari Rubio, përbëjnë kërcënime të konsiderueshme për sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë përmes aktiviteteve si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. Sikurse e keni parë përmes këtij kursi, këto krime po mundësohen nga teknologjitë moderne,” thotë ajo në videon e shkëputur nga fjalimi përshëndetës në ceremoninë e mbylljes së trajnimit të udhëhequr nga Byroja Federale e Hetimit, FBI, për hetuesit e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, BKH.

Duke e cilësuar si përparësi kryesore për SHBA-të, luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve,  VanHorn theksoi se “do të ndjekë me këmbëngulje prioritetet e presidentit Trump në Shqipëri, për të forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve, si SPAK, BKH dhe Akademinë e Sigurisë”

Mesazhi i VanHorn përpara hetuesve  të SPAK thekson edhe njëherë prioritetin kyç të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, i cili lidhet me luftën kundër grupeve kriminale të narkotrafikut. Edhe në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në mesazhin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio përfshihej ky një shqetësim, ku thuhej se “partneriteti ynë me forcat ligjzbatuese shqiptare i bën qytetarët tanë më të sigurt teksa ne përballemi me kërcënimet prej grupeve kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës dhe atyre që bashkëpunojnë me to”

Ekspertë të politikës i lidhin këto mesazhe me ndikimin që krimi i organizuar ka në ekonominë dhe politikën shqiptare, me mosfunksionimin e institucioneve ligjzbatuese dhe amnistinë shtetërore ndaj parasë informale që vjen prej këtyre aktiviteteve të paligjshme.

“Trafikantët shqiptarë në Ekuador nuk do të përmendeshin këtu nëse nuk do të kishin bazat dhe ndikimin e tyre në politikën tonë,” i tha BIRN-it Ermal Hasimja, pedagog i Shkencave Politike, duke komentuar deklaratën e përfaqësueses së ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Sipas tij, mesazhi i saj është përsëritje e mesazheve të mëhershme e të shpeshta për qeverinë shqiptare.

Edhe për Afrim Krasniqin, drejtues i Institutit për Studime Politike, ky është një shqetësim i ngritur disa herë nga SHBA për lidhjet e karteleve të drogës dhe grupeve kriminale nga Shqipëria me vendet latine apo në vetë Shtetet e Bashkuara.

Në kontekstin e mesazhit të VanHorn, Krasniqi sjell në vëmendje rastin e dy muajve më parë kur autoritetet amerikane vendosën një paketë të zgjeruar sanksionesh kundër një familje kriminale shqiptare, e cila akuzohet se ka ndërtuar një rrjet të ndërlikuar biznesesh në Meksikë, Kanada dhe Europë për të pastruar fitimet e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Njëri prej vëllezerve, Luftar Hysa, u bë i njohur edhe në Shqipëri, kur një fotografi e tregonte atë duke hyrë në zyrën e kryeministrit Edi Rama, një takim që ai e ka përshkruar si diskutim për botimin e një libri. Ndryshe nga Hysa, Edi Rama ka pohuar se takimi lidhej me nje investim potencial në Shqipëri.

“Problemi në rastin tonë është se kur ndodh një fenomen i tillë, qeveria e vendit të tij të origjinës, që është Shqipëria, duhet të niste hetimet e menjëhershme për kapitalin e tyre të investuar në vend, për burimet e kapitalit dhe kufizimin e veprimit të kapitalit të tyre në investime e mëdha publike,” thotë Krasniqi.

Por, sipas tij, rezulton që se ata që janë sanksionuar në SHBA vijojnë të përfitojnë nga fondet publike në Shqipëri dhe nuk ka pasur asnjë hetim për burimet financiare dhe investimet që kanë bërë, sidomos në fushën e ndërtimit dhe resortet turistike.

“Pra është normale që SHBA të shprehë shqetësimin, si çdo vend tjetër perëndimor,  që kapitalet që vijnë nga burimet e drogës vijojnë të legalizohen në Shqipëri dhe përmes aministive, siç ndodhi amnistia e fundit, dhe ato  kthehen si pjesë e konkurrencës në ekonominë e tregut, kur në një shtet normal si shtet i së drejtës, anëtar i NATO-s, duhet t’i trajtonte këto si aktivitet kriminal dhe të ndiqte procedurat e një hetimi të thelluar, sekuestros dhe vendosjes para përgjegjësisë të individëve të caktuar,” sugjeron Krasniqi

Nga ana tjetër, ai sheh se ka një mosreagim të agjencive ligjzbatuese për të mbështetur apo të për ecur në të njëjtën linjë me operacionet e SPAK-ut ndaj këtyre grupeve.

Këto agjenci, thotë Krasniqi, “do të duhet të hetonin në mënyrë administrative dhe të verifikonin asetet financiare dhe se kush janë biznesmenët që konsiderohen favoritë dhe janë të privelegjuar si kompani në fushat e mësipërme, por asnjë prej tyre nuk e ka bërë dhe vetë SPAK e ka denoncuar këtë në parlament që s’ka pasur asnjë denoncim nga këto agjenci”.

Po ashtu, Krasniqi e sheh mesazhin e përfaqësueses amerikane në linjë me prioritetet që SHBA kanë vendosur në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës, prioritete që janë sipas tij dhe në interes të shqiptarëve për të pasur “politikanë të pastër dhe ekonomi të pastër”.

“Nuk mund të bëhemi një vend i zhvilluar, demokratik dhe shtet i së drejtës nëse kapitali në Shqipëri është informal dhe vjen nga burimet e drogës, nëse individët të cilët kanë ndikim të madh mediatik, politik dhe publik i kanë ndërtuar pasuritë e tyre përmës trafikimit dhe karteleve të drogës dhe nëse resortet dhe investimet kryesore në Shqipëri, përfshi dhe zonat luksoze të kryeqyetit, të jenë të ndërtuara përmes kapitaleve të tilla,” theksoi Krasniqi.

Sipas tij, duke e ‘amnistuar’ paranë informale dhe elementët e krimit të organizuar, vendi krijon “një trashëgimi negative, një mësim negativ për brezin e ri, një bazë ekonomike të paqëndrueshme”, e cila forcon krimin e organizuar, largon konkurrencën dhe e bën politikën dhe më të korruptueshme dhe më të ndërvarur nga presioni i këtyre grupeve

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy