Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 80 vota pro dhe 22 kundër kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë e propozuar pas ftesës së presidentit amerikan Donald Trump.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi se seanca plenare do të shtyhet me një orë, duke theksuar se projektligji duhet të kalojë fillimisht në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, e më pas të rikthehet për diskutim dhe miratim në seancë plenare.
“Ky projektligj do diskutohet dhe miratohet në këtë seancë plenare. Të mblidhet Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme,” u shpreh Peleshi.
Pas mbledhjes së komisionit pritet që deputetët të rikthehen në sallën plenare në orën 12:00, ku do të zhvillohen diskutimet dhe votimi përfundimtar.
Në urdhrin e thirrjes së seancës, Peleshi ka sqaruar se marrëveshja kërkon shumicë absolute votash për miratim, duke e konsideruar pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes si një zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit. Kërkesa për procedurë të përshpejtuar është bërë në përputhje me nenin 83, pika 2, të Kushtetutës

