Një kryeministër i mençur dhe i formuar me parime filozofike, parim themelor të punës së vet e ka maksimën sokratiane, se fillimi i mençurisë qëndron te njohja e injorancës, për dallim prej një kryeminstri sharlatan, që përrallis, për tema e probleme, për të cilat nuk është kompetent e as i thirrur të flasë.
Shkruan: Ndue Ukaj
Dihet, njohja e injorancës është hapi i parë për të dalë prej kthetrave të saj, për kuptuar vetveten, e për më tepër, “kjo ka rëndësi të thellë për të kuptuarit tonë ndaj shoqërisë” thotë nobelisti F. H. Hayek te libri monumental “Kushtetuta e lirisë”.
Shkrimtarja polake, nobelistja Wislawa Szyborska, rreth kësaj teme ka një këshillë fort të dobishme. Ajo i vlerëson dy fjalë të vogla, “nuk e di”, se thotë janë të pajisura me krahë për fluturim, dhe shton:
“Nëse Isak Njutoni nuk do të kishte thënë me vete “Nuk e di”, mollët në kopshtin e tij mund të binin ende si breshër dhe ai, në rastin më të mirë, thjesht do të përkulej për t’i marrë dhe për t’i ngrënë. Nëse bashkatdhetarja ime Maria Sklodoëska-Curie nuk do të kishte thënë me vete “Nuk e di”, ajo ndoshta do të kishte qëndruar si mësuese kimie në një shkollë për vajza të reja nga familje të mira dhe në këtë punë, padyshim shumë të denjë, do t’i kishte shkuar jeta, pa u njohur. “
Pra, maksima e Sokratit, ka shërbyer si njëlloj motori në krejt historinë e qytetërimit perëndimor, si motor për zhvillim.
Pikërisht kjo maksimë ka shërbyer fare pak në mjedisin tonë të ndotur e plot toksina, prandaj, mbështjellja e kryrministrit me petka prej filozofi, e shpërfaq një fakt tjetër: të vërteten mjerane të mendësisë së tij.
Në të vërtetë, Kosovën e ka goditë ashpër stuhia e injorancës politike, të cilës i prinë vetë kryeministri, një stuhi që po rrezikon t’i shkulë edhe atë pak rrënjë demokratike të mbjellura me mund në tokën tonë.
Nuk është asgjë e re të thuhet se në fushën e politikës, ne jemi shumë të varfër, se varfëria jonë politike, por edhe e gjithmbarëshme bërtet përditë, dhe manifestohet në prapambeturinë tonë, për çka, garojmë për vendin e parë në Europë.
Prandaj, të citosh Kantin, Millin e Aristotelin, e të përfaqësosh vendin me dijen më të shkretë në Europë, domethënë të tentosh të mbulosh diellin me shoshë, pra, qartësisht, kjo domethënë se po bën propagandë shtetërore, për më tepër, kjo domethënë se po mbështillesh me petka të cilat nuk të rrinë.
Në Kosovë, cilësia e të menduarit politik është si cilësia e ajrit në ditë të rënda smogu, e nëse duam të bëhemi pak të vërtetë, ne e dimë se jemi shumë të varfër në këtë lami. Jemi pa traditë, pa literaturë dhe me pak ngjarje të mëdha, pra, jemi të fundit në Europë.
Druaj se po erdhi ndokush nga bota e dijes, për të mbledhë ca kokrra mend pushteti, prej këtu, mundet me dalë gati duarthatë.
Nejse, njohja e këtij realiteti nuk duhet të nxitë ligështim, përkundrazi, duhet të shërbej si forcë për ngritje. Se pikërisht këtu nis fillimi i mençurisë, thonë filozofët e shkrimtarët. Se, duke e njohur injorancën, njeriu pajiset me flatrat e dijes. Dhe mëson. Mëson gradualisht e rritet, siç mësonte e rritej brezi politik në krye me Ibrahim Rugovën, që idenë e Kosovës e bëri shumë të madhe në botën demokratike.
Fatkeqësisht, politika, këtu, duket sikur pak ka dëshirë të rritet me ide. Ajo, nga pikëpamja e vlerave, përditë po tkurret, duke u bymyer me propagandë e intriga.
Prandaj, në mjedisin tonë, të gjithë “dinë” të flasin për politikë, të gjykojnë politikisht, e madje të japin vlerësime nga më të çuditshme, që të lebetitin trutë.
Ne jemi vend i vogël dhe i varfër, pa traditë në punë të shtetit, një vend që vuan nga pasojat e së kaluarës, ka kujtime traumatike, të dy trashëgimeve të këqija nëpër të cilat ka kaluar dhe që kanë lënë gjurmë negative në mentalitet: trashëgimia otoman e komunist. Shtoja kësaj traditën e varfër të leximeve, shkollimin krejt të vonshëm e jocilësor, atëherë puna duket vërtet alarmante.
Ne kemi nevojë, si për ajër të pastër, për një nxitje të gjithmbarshme emancipuese, ku dy fjalët “nuk di” do të duhej të ishin në ballë, si referenca orientuese.
Përsa kohë në vendin tonë nuk ka udhëheqës që e vlerësojnë magjinë e dy fjalëve të vogla, “nuk di”, këtu do të shohim shumë dimra të egër, vite të mbrapshta dhe tharje të jetës.
Me këto antimodele që i sheh përditë njeriu i këtij vendi, me një kryeministër kaq mendjemadh, që përfaqëson një vend ku nuk ka as rrymë e me një demokraci që po gërryhet përditë, Kosova do të vazhdojë të bymehet me propagandë, stuhia e injorancës dë të rritet, e me të, edhe lavdet buçitëse për prijësin.
Si komb i vonuar, kurrë nuk duhet të harrojmë: ne gjatë kemi jetuar në bisht të historisë, më së shumti për fajin tonë, se nuk kemi pasë njerëz të mendjes, në drejtim të vendit, sepse jemi e zeza e vetvetes, ka thënë me të drejtë Zef Pllumi.

