Zyrtarët korrektues të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë kanë parandaluar një tentativë kontrabande, duke zbuluar dhe konfiskuar tri pako me materiale të ndaluara gjatë kontrollit të perimetrit të jashtëm të institucionit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit janë gjetur dy telefona mobil të markës iPhone, dy telefona të tipit Mini, tri paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, si dhe tri koka të adaptuara për mbushje. Autoritetet dyshojnë se këto mjete janë hedhur nga jashtë perimetrit të Qendrës së Paraburgimit, me qëllim futjen e tyre brenda institucionit.
Në lidhje me rastin është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë ka nisur procedurat e hetimeve të brendshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle të shtuara dhe zbatim rigoroz të masave të sigurisë, me qëllim parandalimin e veprimeve të kundërligjshme dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë në institucionet korrektuese.

