Dyshime për vjedhje votash në Malishevë: Kandidatët me ndryshimet më të mëdha pas rinumërimit

by engel

Komuna e Malishevës rezulton të jetë ndër komunat me më së shumti mospërputhje në rezultatet e votave për kandidatët për deputetë, pas përfundimit të procesit të rinumërimit të plotë të fletëvotimeve.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me 100 për qind të votave të rinumëruara në këtë komunë, rezulton se mijëra vota janë shtuar ose hequr në mënyrë të kundërligjshme gjatë procesit të numërimit dhe verifikimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë.

banner

Rinumërimi ka nxjerrë në pah se të gjitha subjektet kryesore politike janë prekur nga ndryshimet, duke ngritur dyshime serioze për manipulim të rezultateve zgjedhore.

Kandidati që ka përfituar më së shumti nga rinumërimi është Gazmend Maliqaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të cilit i janë shtuar 927 vota. Pas tij renditet kolegu i tij partiak Fetah Paçarizi me 728 vota të shtuara, ndërsa Adnan Thaçi, po ashtu nga radhët e PDK-së, rezulton me 703 vota më shumë.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ish-gjenerali i luftës Gëzim Hazrolli figuron t’i jenë shtuar 340 vota pas rinumërimit.

Ndryshime janë evidentuar edhe në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ku ish-kandidatit për kryetar të Malishevës, Valon Hoti, i janë shtuar 312 vota, ndërsa kandidatit tjetër nga e njëjta parti, Gani Krasniqi, i janë shtuar 271 vota.

Në anën tjetër, kandidati i Nismës Socialdemokrate, Vesel Krasniqi, rezulton me 264 vota më pak krahasuar me rezultatet e publikuara nga KQZ pas procesit fillestar të numërimit dhe verifikimit.

Në kuadër të dyshimeve për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, Prokuroria Themelore e Gjakovës ka zhvilluar të mërkurën një operacion të gjerë policor në Malishevë.

Sipas burimeve të Paparacit brenda organeve të rendit, rreth 50 persona janë arrestuar. Të dyshuarit, të cilët dyshohet se kanë ushtruar funksione në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.

Hetimet janë në vazhdim, ndërsa autoritetet pritet të dalin me detaje të tjera lidhur me përgjegjësitë individuale dhe veprimet e mëtejme procedurale.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy