Amazon shkurton 16 mijë vende pune, zhvendos fokusin te inteligjenca artificiale

by engel

Gjiganti i tregtisë elektronike Amazon ka njoftuar një tjetër valë shkurtimesh në staf, duke konfirmuar largimin nga puna të 16 mijë punonjësve në pozicione korporative. Lajmi u bë publik përmes një postimi zyrtar në blogun e kompanisë, ku theksohet se vendimi lidhet me riorganizimin e burimeve dhe orientimin drejt teknologjive të reja, veçanërisht inteligjencës artificiale (AI).

Sipas Amazon, punonjësve të prekur do t’u jepet një afat 90-ditor për të kërkuar një rol tjetër brenda kompanisë. Ata që nuk arrijnë të sistemohen në një pozicion të ri do të përfitojnë pagesë largimi nga puna (severance) dhe përfitime të përkohshme shtesë.

banner

Në deklaratën publike, Zëvendëspresidentja e Lartë për Përvojën e Punonjësve dhe Teknologjinë, Beth Galetti, theksoi se kompania do të “vazhdojë të punësojë dhe të investojë në fusha dhe funksione strategjike që janë kritike për të ardhmen e Amazon”.

Edhe pse kompania nuk e specifikoi drejtpërdrejt se cilat janë këto fusha, sipas raportimeve të New York Times, Amazon po zhvendos burime të konsiderueshme drejt inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave që mbështesin këtë teknologji. Vetëm gjatë vitit të kaluar, kompania shpenzoi rreth 125 miliardë dollarë për data center-a dhe investime të lidhura me to.

Galetti u përpoq të qetësonte shqetësimet për shkurtime të vazhdueshme, duke theksuar se ky nuk është një proces periodik. “Disa prej jush mund të pyesin nëse kjo është fillimi i një ritmi të ri, ku njoftojmë shkurtime çdo disa muaj. Ky nuk është plani ynë,” shkruan ajo, duke shtuar se kompania po punon për të mbështetur punonjësit e prekur nga ky vendim.

Këto shkurtime vijnë në vazhdën e atyre të njoftuara në tetor, kur Amazon largoi nga puna 14 mijë punonjës. Në atë kohë, burime të kompanisë kishin deklaruar për Reuters se ishin planifikuar deri në 30 mijë shkurtime. Me njoftimin e fundit, ky numër konfirmohet praktikisht, duke e çuar totalin e vendeve të punës të shkurtuara në rreth 30 mijë.

Ndërkohë, CEO i Amazon, Andy Jassy, kishte mohuar më herët se inteligjenca artificiale ishte shkaku kryesor i shkurtimeve të tetorit. Megjithatë, vetë Galetti kishte theksuar një qasje tjetër, duke e cilësuar AI-në si “teknologjinë më transformuese që nga interneti” dhe duke nënvizuar nevojën që kompania të funksionojë më “lehtë, me më pak nivele hierarkike dhe më shumë përgjegjësi”.

Përveç shkurtimeve në staf, Amazon njoftoi së fundmi edhe mbylljen e të gjitha dyqaneve fizike Amazon Go dhe Amazon Fresh, për t’u përqendruar te rrjeti Whole Foods Market dhe shërbimet e shpërndarjes ushqimore nën këtë markë.

Aktualisht, Amazon punëson rreth 1.5 milionë njerëz në mbarë botën.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy