Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy ish-prokurorë të Sarandës, të dyshuar për përfshirje në një aferë korrupsioni që lidhet me zbutjen e masës së sigurisë ndaj një të pandehuri.
Sipas SPAK, ish-prokurori Kledian Llaho akuzohet për veprën penale të korrupsionit, ndërsa ish-prokurori tjetër, Çlirim Shahini – i cili aktualisht ushtron profesionin e avokatit – akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Hetimet kanë zbuluar se dy ish-zyrtarët e drejtësisë dyshohet se kanë kërkuar dhe marrë para në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore.
Çështja lidhet me Pando Papuçin, i shpallur në kërkim për ndërtim pa leje, i cili kishte arritur t’i shmangej drejtësisë për rreth dy vite. Pas arrestimit të tij, masa e sigurisë u shqyrtua nga gjykata dhe, brenda një ore, u ndryshua me kërkesë të prokurorisë, duke u zbutur nga gjyqtarja Edona Vajushi.
Sipas SPAK, ndërhyrja në favor të Papuçit është bërë kundrejt pagesave monetare. Prokuroria e Posaçme dyshon se në total janë paguar 55 mijë euro për të siguruar zbutjen e masës së sigurisë.
Prokurorja e çështjes, Manjola Kajana, ka bërë të ditur se Kledian Llaho dyshohet se ka marrë 30 mijë euro përmes biznesmenit Vasil Bakalli, i cili konsiderohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësit. Sipas dosjes hetimore, këto para janë marrë në territorin e Greqisë.
Ndërkohë, Çlirim Shahini dyshohet se ka përfituar 25 mijë euro në këmbim të ndikimit të tij për t’i kërkuar gjykatës masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Pando Papuçin.
SPAK vlerëson se provat e mbledhura dëshmojnë ekzistencën e një skeme të organizuar korrupsioni, ku funksionarë të drejtësisë kërkonin përfitime financiare për të favorizuar të pandehur në çështje penale.
Pavarësisht se masa e sigurisë u kërkua nga prokurori Llaho dhe u miratua nga gjyqtarja Edona Vajushi, për këtë të fundit SPAK njofton se nuk është provuar ndonjë përgjegjësi penale. Nën akuzë është vënë edhe biznesmeni Vasil Bakalli, i cili dyshohet për korrupsion dhe ndërmjetësim mes palëve.

