Më shumë se një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, sot (30 janar) pritet të hapet rruga për legjislaturën e 10 të Kuvendit të Kosovës.
Siç ka mësuar KOHA, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve presin që procesi të përmbyllet në orët e pasdites. Rrjedhimisht pas këtij procesi hapet rruga për shpalljen e zgjedhjeve përfundimtare nga KQZ-ja. E pas kësaj do të rrjedhin afatet e ankesave që në total mund të zgjasin deri në 13 ditë.
Sipas Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, palët kanë kohë 48 orë që në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të ankohen për administrimin e numërimit të votave. Ky institucion, sipas ligjit, ka kohë 72 orë që të vendosë për ankesën e pranuar. E subjekti ankues ka edhe një mundësi tjetër ankese – në Gjykatën Supreme, e cila ka kohë pesë ditë për të vendosur mbi ankesat.
Ditë më parë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pati thënë se procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund ta zvogëlojë nevojën për ankesa. Megjithatë, pati përsëritur se KQZ-ja duhet t’i presë afatet për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave, para certifikimit dhe përmbylljes së procesit zgjedhor.
Pavarësisht sa mund ta “vonojnë” procesin ankesat, Kosova po përballet me një afat tjetër që rrezikon krizë të re. Sipas Kushtetutës, presidenti i vendit duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Vjosa Osmani ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021, duke e bërë tani 4 marsin afat të fundit për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 28 dhjetor të vitit që shkoi. Në Qendrat e Votimit u numëruan votat e partive po atë ditë dhe dolën rezultatet preliminare. Nga 29 dhjetori deri më 3 janar, këto vota u verifikuan dhe u numëruan edhe votat e kandidatëve për deputetë në Komisionet Komunale Zgjedhore që janë 38 gjithsej, nga një për secilën komunë. Pastaj në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar votat e tjera që përfshijnë ato nga jashtë, me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Pas pranimit të një raporti ku ishin gjetur abuzime në Qendrat Komunale, KQZ-ja vendosi t’i çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet në 10 komuna e në 28 të tjera nga 10%. Ndërkaq më 19 janar, KQZ-ja vendosi për rinumërim të plotë pas manipulimeve të hasura nga rinumërimi i pjesshëm. Ky proces çoi në paraburgosjen e dhjetëra kryekomisionerëve, në Prizren e Malishevë, ndërsa prokuroritë e komunave të tjera tashmë kanë bërë të ditur se kanë nisur hetimet. Pavarësisht se u has në manipulime të mëdha, kjo nuk çoi në ndryshim të ulëseve të subjekteve apo edhe emrave të deputetëve të zgjedhur nga numërimi fillestar, te partitë shqiptare.
Para daljes në pah të problemeve me abuzimin e votave për kandidatë, KQZ-ja pati paraparë 19 janarin, për shpallje të rezultateve përfundimtare.
Vendi qe një vit është pa institucione mandatplota. Zgjedhjet e shkurtit të vitit që shkoi nuk rezultuan me formimin e qeverisë. Si pasojë e bllokadave Kosova nuk ka as buxhet të miratuar për vitin 2026. Me shpalljen e zgjedhjeve të 28 dhjetorit ishte aktivizuar neni 24 i Ligjit për menaxhim të financave publike që mundëson zgjatjen buxhetore edhe për dy muaj për pagat e sektorit publik. Kjo zgjatje mundësohet nëse zgjedhjet mbahen më pak se katër muaj para vitit të ri fiskal (1 janar).
Legjislatura e re e Kuvendit, që do të formohet pas certifikimit të rezultateve, do ta nisë punën me shqyrtimin e buxhetit për vitin 2026, dhe trajtimin e 5 marrëveshjeve ndërkombëtare financiare. Por, në mesin e ligjeve të para që do t’i ketë në shqyrtim, do të jenë 13 që u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, si edhe dy të tjera që Qeveria do t’i sjellë me urgjencë – atë për çmimet tavan dhe ndryshimin e ligjit për t’ua hequr kufizimin e punësimit veteranëve.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë se 51 për qind dhe si e vetme me pakicat mund ta formojë Qeverinë. Ajo ka siguruar 57 ulëse në Kuvendin me 120 ulëse. Nga partitë tjera shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës i ka siguruar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 ndërsa Aleanca për Ardhmërinë 6.
Në prag të hapjes së rrugës për legjislaturën e re, Gjykata Kushtetuese vendosi se zgjedhja e Nenad Rashiqit nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, ishte antikushtetuese. Të mërkurën, Kushtetuesja e shpalli kundërkushtetuese procedurën e zgjedhjes së Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit dhe tha se e drejta e propozimit i takon shumicës së deputetëve të komunitetit serb, që në atë rast por edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit përbëhet nga Lista Serbe që i ka siguruar 9 nga 10 ulëset e serbëve. Njohësit e çështjeve politike kanë paralajmëruar se po që se ky vendim nuk zbatohet, ai rrezikon krizë të re politike./Koha

