Si ushqehen mesazhet radikale në rrjetet sociale dhe kush i financon?

by informim peje

Ky artikull tregon sesi algoritmet e rrjeteve sociale orientojnë përdoruesit drejt përmbajtjeve fetare dhe ideologjike gjithnjë e më polarizuese, duke krijuar fitime financiare për autorët dhe duke sfiduar kapacitetet e institucioneve fetare dhe shtetërore për monitorim. Artikulli nënvizon nevojën për edukim medial për të mbrojtur kohezionin shoqëror dhe për të parandaluar përhapjen e mesazheve radikale.

Autor: Selamir Qerimi

banner

Një klikim larg indoktrinimit

A.H. ishte në mes të provimeve të vitit të parë në degën e Elektroenergjetikës, ku stresi i afrimit të afateve filloi ta ndikonte thellë.

Si çdo 19-vjeçar i kohës së tij, ai nuk e kërkoi ndihmën te profesori apo libri, por në YouTube. Në fushën e kërkimit shkroi: “Si ta largoj stresin?”

Rezultati i parë ishte një video e hoxhë Elvis Naçit.

Videoja kishte muzikë inspiruese në sfond dhe një ligjërues me zë të qetë, që fliste për rëndësinë e moralit dhe forcës së karakterit për të përballuar sfidat e jetës.

Sipas tij, në fillim gjithçka ishte normale, derisa algoritmi filloi t’i shfaqte përmbajtje që ai nuk i kishte kërkuar më parë.

“Krejt çka mu deshtë në atë periudhë ishte ajo video, që sado pak ndikoi pozitivisht tek unë. Më vonë, kur fillova të hyj në YouTube, gjithnjë e më shumë më dilnin video të hoxhallarëve, që flisnin jo vetëm për stresin, por kishte edhe leksione për rëndësinë e namazit dhe si ndikon kjo pozitivisht në jetën tonë,” thotë ai.

Tutje tregon se nuk i duhej më ta kërkonte, sepse gjithçka u shfaq vet.

“Mandej nuk ishte më veç një video. Kur e hapsha YouTube-in, krejt ‘Home Page’-i m’u kishte mbushur me hoxhallarë dhe ligjërata. Prej një videoje që e kisha kërkuar vet për stresin, sistemi filloi të më ‘servojë’ krejt diçka tjetër pa e kërkuar fare. Kudo që klikojsha, më dilnin video që bëheshin gjithnjë e më të rënda dhe më specifike në tema fetare,” shpjegon A.H.

Pse na “ndjekin” këto video?
Ky fenomen nuk është rast i izoluar. Profesori i IT-së, Vehbi Neziri, shpjegon se kjo dinamikë lidhet me mënyrën se si algoritmet mësojnë nga sjellja e përdoruesve.

“Kur algoritmi mëson vetëm nga sjellja historike e përdoruesve – çfarë ata klikojnë, sa gjatë qëndrojnë në një video dhe si reagojnë – krijohet një qark i vetë-ushqyer. Përdoruesit i shikojnë më gjatë videot që kanë tone më të forta; algoritmi e interpreton këtë si shenjë se kjo është përmbajtja optimale për t’u rekomanduar; dhe më pas u ofron edhe më shumë materiale të ngjashme”, shprehet Neziri.

Kjo shtytje graduale që përshkruan Neziri, nuk ndalet vetëm te këshillat morale.

Sipas Festim Rizanit nga platforma hibrid.info, përmbajtjet që shikohen nga përdoruesit mund të çojnë drejt kanaleve me përmbajtje më polarizuese.

“Ka indikacione të qarta se përdoruesit që fillojnë me kërkime të përgjithshme mbi fenë në mund të drejtohen relativisht shpejt drejt kanaleve me përmbajtje më polarizuese ose më konservatore, madje edhe ekstremiste. Kjo ndodh sepse algoritmi favorizon videot që gjenerojnë reagime të forta emocionale, që mbajnë vëmendjen më gjatë ose që krijojnë diskutime — karakteristika tipike të përmbajtjes polarizuese. Shpesh, pasi një përdorues shikon një video informuese neutrale, rekomandimet nisën të çojnë drejt predikimeve më rigoroze, interpretimeve konservatore dhe më pas tek kanale që prodhojnë përmbajtje të ngurtë dhe përjashtuese”, thotë Rizani.

Një shembull konkret është rasti i Imamit 1.

Në një ligjëratë të tij të shpërndarë në  YouTube, e cila ka arritur mbi 23 mijë shikime, ai përdor gjuhë të ashpër dhe denigruese ndaj komunitetit LGBTQ+ dhe “Paradës së Krenarisë”, duke kërkuar izolimin e tyre shoqëror.

Ky lloj diskursi “ushqen” algoritmin me ndërveprime (engagement) të larta për shkak të natyrës kontroversiale.

Një tjetër rast që ilustron fuqinë e platformave të reja është ai i hoxhës nga Shkupi, Imami 2. Një deklaratë e tij, ku i cilëson gratë si qenie “me të meta mendore”, është copëzuar në segmente të shkurtra dhe është bërë virale në TikTok. Ndërsa versioni i plotë në YouTube qarkullon prej vitesh pa rënë shumë në sy, “copëzimi” (clipping) në  TikTok ka shkaktuar reagime të menjëhershme.

Kush fiton nga klikimet?
Pas çdo videoje që qarkullon në rrjetet sociale, përtej mesazhit ideologjik apo moral, qëndron edhe një interes i pastër financiar.

Eksperti i rrjeteve sociale, Ardit Gashi, zbulon se si ky sistem ushqehet nga monetizimi.

Sipas tij, një video me 100,000 shikime mund të gjenerojë nga 50 deri në 250 dollarë.

“Si shembull, CPM (fitimi për 1,000 shikime) mund të jetë rreth 0.5 deri 2.5 dollarë. Për 100,000 shikime, kjo do të përkthehej në një fitim prej rreth 50 deri 250 dollarë për video. Ky fitim modest mund të ndikojë në motivimin e autorit për të përdorur tituj “clickbait”, sidomos kur synon të tërheqë më shumë shikues dhe të rrisë të ardhurat, duke përdorur elemente fetare ose kombëtare për të tërhequr klikime”, shprehet Gashi,

Përveç YouTube-it, sistemi i “Gifts” në TikTok Live është bërë mjaft popullor.

Gashi vëren se fitimet nga ky sistem janë më të vështira për t’u gjurmuar, sepse pagesat deponohen shpesh në shërbime të jashtme.

“Fitimet nga ky sistem janë më të vështira për t’u gjurmuar se sa tek platformat tradicionale, sepse pagesat deponohen kryesisht në shërbime të jashtme si PayPal. Edhe pse nuk është e pamundur për një autoritet zyrtar të gjurmojë këto pagesa, procesi është më i ndërlikuar se tek platformat që ofrojnë raportime të qarta financiare. Megjithatë, nuk mund të konsiderohet ‘financim i decentralizuar’ në kuptimin teknik, sepse TikTok kontrollon tërësisht sistemin e dhuratave dhe ka mundësi të gjurmojë se si shpërndahen pagesat tek përdoruesit. Pra, edhe pse dhuratat mund të duken të pakontrolluara për shikuesin e zakonshëm, ato nuk janë plotësisht të pavarura ose të paqasshme për autoritetet që duan të monitorojnë përdorimin e tyre”, tregon Gashi

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në një përgjigje zyrtare ka konfirmuar se të ardhurat nga platformat sociale (TikTok, YouTube, Facebook, Instagram) janë të tatueshme.

“Të ardhurat e gjeneruara nga platformat sociale si TikTok, YouTube, Facebook apo Instagram konsiderohen si të ardhura të tatueshme dhe si të tilla i nënshtrohen obligimeve tatimore nga pranuesi i mjeteve. Pavarësisht natyrës dhe përmbajtjes së të ardhurave, përfshirë edhe dhuratat ashtu siç është përcaktuar kriteri ligjor per trajtimin e dhuratave, vlera financiare e tyre duhet të përfshihet në të ardhurat e tatueshme. Sa i përket klasifikimit, barra e përgjegjësisë fillimisht është e pranuesit të të ardhurave, varësisht nga kontratat marrëveshjet që mund t’i kenë, nëse janë të ardhura nga punësimi apo të ardhura nga aktiviteti ekonomik”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Vakuumi Institucional dhe tradita fetare

Në këtë kaos digjital, institucionet fetare zyrtare e shohin veten me mundësi të kufizuara. Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) pranon mungesën e mekanizmave.

“Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka mekanizma të specializuar për monitorimin e platformave digjitale, as të përmbajtjeve në gjuhën shqipe… u jepet hapësirë personave jokompetentë dhe ideologjive të ngurta e ekstreme, të cilat bien ndesh me parimet fetare dhe, si të tilla, krijojnë frymë intolerance”.

“Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka mekanizma të specializuar për monitorimin e platformave digjitale, as të përmbajtjeve në gjuhën shqipe. Megjithatë, ato përcillen dhe vëzhgohen me kujdes, aq sa e lejojnë mundësitë dhe kapacitetet tona. Nuk ka dyshim se qasja dhe ekspozimi pa asnjë kriter në rrjete dhe platforma digjitale paraqesin problem në çdo segment të shoqërisë, përfshirë edhe fushën e fesë dhe besimit. Kjo sepse u jepet hapësirë personave jokompetentë dhe ideologjive të ngurta e ekstreme, të cilat bien ndesh me parimet fetare dhe, si të tilla, krijojnë frymë intolerance”, thuhet në përgjigjen e BIK-ut.

Ndonëse BIK thotë se nuk ka raste të raportuara të ndikimit negativ te të rinjtë, institucioni bën thirrje për edukim.

“Nuk kemi informacion për ndonjë rast konkret të tillë, por është obligim i familjarëve që të kujdesen që fëmijët dhe të rinjtë e tyre të edukohen në institucionet tona fetare – xhamitë. Ne kontribuojmë në mënyrë të vazhdueshme në edukimin e drejtë të të rinjve, duke filluar nga xhamitë dhe medresetë e deri te arsimi i lartë. Po ashtu, jemi aktivë edhe në platformat digjitale. Mendojmë se ekzistojnë burime të mjaftueshme dhe të besueshme, por në platformat digjitale qarkullojnë edhe shumë burime të tjera me ideologji të ndryshme. Kur kësaj i shtohet fakti se të rinjtë sot njohin edhe gjuhë të huaja, rriten edhe më shumë mundësitë për përvetësimin e mësimeve të paverifikuara”, thonë nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Financimi, rrjet i padukshëm

Identifikimi i burimeve financiare pas përhapjes së ideologjive radikale në platformat online mbetet kompleks.

Ramiz Ismajli, ish-konsull i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, thekson se format e financimit shpesh realizohen përmes organizatave joqeveritare, sponsorizimit të individëve me ndikim, organizimit të eventeve apo projekteve të ashtuquajtura humanitare.

“Në të kaluarën ka pasur raste kur organizata që përhapnin ideologji radikale janë financuar nga shtete të ndryshme, jo vetëm nga Lindja e Mesme, por edhe nga shtete fqinje. Mirëpo sot, edhe nëse ekzistojnë raste të tilla, numri i tyre është jashtëzakonisht i vogël, për shkak se institucionet tona të sigurisë janë marrë shumë seriozisht me këtë problem dhe kanë ndërmarrë masa, përfshirë dëbimin nga Kosova të subjekteve të përfshira, si dhe atyre që kanë qenë në listat e organizatave terroriste, qoftë evropiane apo të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shprehet ai.

Edhe Festim Rizani thekson se këto mbështetje janë shpesh diskrete, të padokumentuara publikisht ose kalojnë përmes llogarive personale.

“Identifikimi i saktë i natyrës së financimit është i vështirë, pasi shumica e këtyre mbështetjeve janë diskrete, jo të dokumentuara publikisht, ose kalojnë përmes llogarive personale dhe organizatave joformale. Nuk ka prova të qarta publike që tregojnë lidhje të drejtpërdrejta me organizata të huaja me agjendë radikale, por përmes modelit të përdorimit të donacioneve dhe ripostimeve të përmbajtjes nga burime ndërkombëtare, ekziston një rrezik i përforcimit të mesazheve të huaja dhe mbështetjes financiare indirekte”, përmend ai.

Banka Qendrore e Kosovës bën të ditur se monitorimi i transaksioneve të dyshimta është përgjegjësi e Njësisë për Inteligjencë Financiare (NJIF), ndërsa publikimi i të dhënave specifike kufizohet nga legjislacioni për konfidencialitetin.

“Dispozitat e Ligjit për PPP/LFT si dhe kërkesat e Rregullores sё BQK-sё pёr PPP/LFT, obligojnë institucionet financiare që të kenë sisteme të përshtatura sipas indikatorëve përkatës për identifikimin dhe monitorimin e transaksioneve të cilat nuk kanë qëllim të qartë ekonomik, të ligjshëm ose komercial apo që përfshijnë sasi të mëdha të lëvizjeve të mjeteve monetare, që nuk janë në përputhje me transaksionet normale dhe të pritshme të klientit në përputhje me profilin e rrezikut dhe biznesit për atë klient. Për informimin tuaj, raportimi i këtyre transaksioneve apo transaksioneve te dyshimta është e detyrë ekskluzive e Njësisë për Inteligjencë Financiare, si institucion kyç për mbledhjen, analizën dhe shpërndarjen e informatave konform me Ligjin për PPP/LFT”, thuhet ne pergjigjen e BQK-se

Në lidhje me financimin, BIK thekson se nuk ka asnjë të dhënë apo informacion për burimet financiare të kanaleve fetare jozyrtare, as për mbështetje të huaja apo përmbajtje të sponsorizuara me agjenda ideologjike, duke theksuar se kjo është përgjegjësi e institucioneve shtetërore të specializuara.

“Për financimin e tyre nuk kemi as të dhëna dhe as informacione. Po ashtu, nuk kemi njohuri se kush qëndron pas tyre dhe as se ku e kanë bazën. Kjo është çështje dhe përgjegjësi e institucioneve të specializuara të vendit, e jo e një institucioni siç është Bashkësia Islame e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e BIK-ut.

Tradita fetare dhe realiteti lokal

Hoxhë Enes Goga thekson se tradita fetare islame në Kosovë buron nga institucionet zyrtare të Bashkësisë Islame, imamët dhe institucionet arsimore fetare, të cilat sigurojnë vazhdimësi dhe qartësi në mësimdhënie.

Sipas tij, epoka e rrjeteve sociale përbën sfidë serioze, pasi ndikimi fetar vjen edhe nga ligjërues të huaj, ndërsa mungesa e njohurive bazike fetare tek të rinjtë rrit rrezikun e indoktrinimit.

“Sot, në epokën e teknologjisë dhe rrjeteve sociale, ndikimi dhe frymëzimi është jashtëzakonshëm. Interneti ka shtrirje të gjerë dhe popullata e re është shumë e qasshme në platformat digjitale. Për BIRK-un, kjo paraqet një sfidë reale, sepse rreziqet nuk vijnë vetëm nga ata që flasin gjuhën tonë, por edhe nga ligjërues të huaj që transmetojnë mësime në gjuhë të tjera, si anglisht. Në momentin që të rinjtë dhe të rejat tona nuk kanë njohuri bazike për Islamin, ata mund të indoktrinohen lehtësisht. Prandaj, ne gjithmonë bëjmë thirrje për marrjen e dijes fetare nga institucionet kredibile që janë referenca për fenë tek ne – BIRK”, thotë imami nga Peja.

Megjithatë, ai thekson se në komunën e Pejës nuk janë vërejtur raste që cenojnë bashkëjetesën fetare apo harmoninë shoqërore, ndërsa shumica e frekuentuesve të xhamive janë të rinj.

Në aspektin financiar, Goga nënvizon se institucionet lokale funksionojnë në mënyrë transparente, ndërsa shumë imamë financohen drejtpërdrejt nga xhemati.

“Ne, si KBI e Pejës, hasim vështirësi financiare dhe çdo vit përballojmë sfida të shumta për të mbuluar punonjësit tanë. Imamët në xhamitë e fshatrave nuk paguhen nga KBI, por nga populli – xhematet e tyre. Tek ne, çdo gjë është transparente: asnjë qindarkë nuk hyn apo del pa u regjistruar në forma bankare ose përmes kuponëve dhe faturave, gjë që mund të verifikohet lehtësisht. Ndërsa në aspektin individual, të gjithë imamët jetojnë një jetë normale dhe mesatare ekonomikish. Çdo financim i huaj ka rreziqet e veta, ndaj më e mira do të ishte që shteti të rregullonte sa më shpejt anën financiare të bashkësive fetare, duke përfituar nga praktikat evropiane të ngjashme. Në komunën tonë nuk kemi imamë që veprojnë jashtë ombrellës së BIRK-ut dhe nuk kemi informacion se si veprojnë ata që mund të jenë jashtë kësaj strukture”, shprehet Goga.

Radikalizmi hibrid, fetar dhe etno-nacionalist

Sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, sot vërehet një formë e re radikalizmi që ndërthur elemente fetare dhe etno-nacionaliste.

Adelina Hasani nga QKSS thekson se, ndryshe nga periudha e luftës në Siri, nivelet e radikalizimit të hapur kanë rënë, por janë shfaqur narrativa hibride që kombinojnë identitetin fetar me atë kombëtar.

“Në vitet e kaluara radikalizmi ishte më i shprehur, sidomos për shkak të luftës në Siri, ku shumë persona udhëtuan atje për të luftuar, gjë që ndikoi fuqishëm në procesin e radikalizimit të tyre. Ajo që vihet re sot, krahasuar me të kaluarën, është se nuk ka më nivele të larta të radikalizimit, sipas hulumtimeve tona. Megjithatë, ekziston një lloj kombinimi mes aspektit fetar dhe atij etno-nacionalist”, thotë ajo.

Hasani ilustron këtë lidhje me raste konkrete ku individët me bindje etno-nacionaliste dhe radikalizim fetar shfaqin qëllime sulmi me targete që lidhen si me minoritetet, ashtu edhe me interesa kombëtare.

“Shumë persona me bindje etno-nacionaliste përfshijnë edhe elemente fetare. Për shembull, ne kemi vërejtur se shpesh përdoret fotografia e Adem Jasharit, për të treguar se ai ka qenë mysliman. Kjo ka për qëllim të tregojë se patriotët janë gjithashtu myslimanë. Në rastin e fundit, një individ ka synuar të sulmojë paradën e krenarisë. Ai ishte radikalizuar në aspektin fetar dhe më parë kishte pasur synime për sulm ndaj Jarinjes, ndërkohë që edhe tani ka treguar elemente etno-nacionaliste”, thekson Hasani.

Kjo taktikë e “tjetërsimit” të figurave kombëtare vërehet qartë në faqe si “Alternativa Arnaute”. Aty, heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, etiketohet me mbishkrimin: Ky eshte RUS. Rusia e beri Shqiperin me shume gjera. Nje prej tyre eshte Skenderbeu”.

Ky postim është një rast klasik i manipulimit me kontekstin ku fotografia e përdorur nuk është një portret historik, por imazhi i aktorit gjeorgjian Akaki Horava gjatë xhirimeve të filmit sovjetiko-shqiptar të vitit 1953.

Ndërkohë, një faqe në TikTok i pasqyronte katolikët si serb dhe persona që punojnë kundër shtetit të Kosovës. Kjo faqe e ndërlidhte rrejshëm sulmin në Banjskë me Kishën Katolike, si dhe bënte postime se si katolikët  martohen me serbët.

Masat strategjike të sigurisë

Burim Ramadani, ish-kryeinspektor në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë e sheh këtë si një rrezik të rëndësishëm për sigurinë kombëtare, duke pasur parasysh zhvillimin dixhital.

“Mungesa e një mekanzimi ndër-institucional dhe gjithë-shoqëror që do të filtronte dhe moderonte në gjuhën shqipe rrjetet sociale do të ndihmonte shumë në parandalimin, respektivisht reduktimin e këtij ndikimi. Është një prej rreziqeve kryesore të sigurisë kombëtare, duke pasur parasysh revolucionin dixhital dhe zhvillimin e kapaciteteve personale të të rinjve në këtë fushë, të cilët për një arsye apo tjetër nuk arrijnë të ndajnë apo dallojnë qëllimet ideologjike”, thotë ai.

“Për të kuptuar nëse këto rreziqe po adresohen në nivel operacional, kemi drejtuar pyetje zyrtare Drejtorisë Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Pasojat psikosociale dhe nevoja për edukim mediatik

Teologu dhe psikoterapisti Drilon Hoxha vëren se polarizimi digjital nuk është vetëm fenomen fetar, por pjesë e një dinamike më të gjerë shoqërore.

Interpretimet e ashpra, të favorizuara nga algoritmet, ndikojnë veçanërisht tek të rinjtë në fazë të formimit identitar, duke rritur ankthin, ndarjet “ne–ata” dhe vështirësitë në bashkëjetesë.

“Polarizimi që përmendet nuk është vetëm një fenomen fetar, por pjesë e një dinamike më të gjerë sociale, ku rrjetet digjitale shpesh favorizojnë mendimin e thjeshtuar, emocional dhe polarizues. Në këtë kontekst, interpretimet e ashpra – fetare apo jo – gjejnë terren më të përshtatshëm, veçanërisht tek të rinjtë që ndodhen në fazë formimi identitar. Nga përvoja ime profesionale, ky lloj polarizimi ndikon drejtpërdrejt në rritjen e ankthit, ndarjeve “ne–ata” dhe vështirësive në bashkëjetesë, duke e bërë dialogun më të vështirë, por edhe më të domosdoshëm”, thekson Hoxha.

Profesori Vehbi Neziri thekson se edukimi mediatik dhe digjital mbetet i nënvlerësuar.

Sipas tij, të rinjtë duhet të kuptojnë se përmbajtja që konsumojnë nuk është neutrale, por produkt i një algoritmi që optimizon vëmendjen dhe reagimin emocional. Pa këtë kuptim kritik, transparenca teknike e platformave mbetet e pamjaftueshme për të parandaluar manipulimin dhe polarizimin.

“Roli i edukimit mediatik dhe digjital, sipas mendimit tim është mjaft i rëndësishëm dhe ende i nënvlerësuar në shumë shoqëri. Të rinjtë duhet të kuptojnë se përmbajtja që shohin në YouTube apo platforma të tjera nuk është një dritare neutrale drejt realitetit, por produkt i një algoritmi që optimizon objektiva shumë specifike, si vëmendja dhe koha e kaluar në platformë. Kuptimi i kësaj logjike është hapi i parë për t’u bërë përdorues kritikë dhe të ndërgjegjshëm”. Shprehet Neziri.

Në përgjigje, Ministria e Arsimit tha se edukimi mediatik tashmë është pjesë e kurrikulës shkollore, por si pjesë e lëndëve të tjera.

“Temat ndërkurrikulare nuk i përkasin vetëm një lënde apo fushe kurrikulare. Ato integrojnë fushat dhe lëndët kurrikulare me qëllim që të mbështesin nxënësit në kuptimin dhe interpretimin e duhur të proceseve shoqërore dhe natyrore. Prandaj, temat ndërkurrikulare duhet të trajtohen nga të gjitha lëndët shkollore dhe jo domosdoshmërisht si një lëndë e veçantë, ashtu si po kërkohet. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ato të trajtohen në ndonjë shkollë specifike si lëndë jo e detyrueshme:, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy