Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deklaruar se procesi i rinumërimit të votave ka kaluar mirë në aspektin teknik, por ka nxjerrë në pah probleme serioze që lidhen me integritetin e procesit zgjedhor.
Sipas Jakës, përmes këtij rinumërimi janë evidentuar qartë parregullsi, ndërsa problemi më i madh mbetet fakti se është vërtetuar falsifikimi i rezultateve zgjedhore. Ai theksoi se në muajt në vijim pritet të zbardhet se kush qëndron pas këtyre manipulimeve.
“Do të kemi rastin të shohim nëse kanë qenë vetë komisionerët ata që i kanë kryer këto veprime, apo nëse kanë vepruar nën ndikimin e kandidatëve për deputet ose të subjekteve politike,” u shpreh Jaka.
Ai shtoi se ka pasur disa distancime publike nga subjektet politike, por nënvizoi se përcaktimi i përgjegjësisë dhe zbardhja e plotë e rasteve do të bëhet nga organet e drejtësisë, konkretisht nga Prokuroria dhe gjykatat.
Jaka paralajmëroi se integriteti i deputetëve që pritet të betohen është i cenuar, duke marrë parasysh se në disa raste janë konstatuar dallime të mëdha në numrin e votave.
“Në disa raste janë mbi 600 vota, diku tjetër 1 mijë apo edhe 2 mijë vota që janë shtuar dhe më pas janë hequr pas rinumërimit,” tha ai. /Gazeta10

