“Vramë për 70 mijë euro”, Henrik Hoxhaj zbardh skemat e atentateve dhe porositë e krimit

by Nexhat

Henrik Hoxhaj, i pandehur në dosjen “Plumbi i Artë”, ka dhënë një dëshmi të gjatë dhe tronditëse në Gjykatën e Posaçme në Tiranë, ku ka pranuar përfshirjen në disa atentate mafioze, duke zbardhur në detaje skemat kriminale, organizimin e vrasjeve, pagesat dhe rolet e personazheve kryesore.

Ai tregoi se është rekrutuar nga Nuredin Dumani për eliminime me pagesë, ka marrë pjesë në ekzekutimin e Dorian Shkozës dhe vëllezërve Haxhia, duke përshkruar lëvizjet, armët, maskimet dhe shpërblimet financiare, ndërsa theksoi se porositë vinin nga “Krymi” dhe persona të tjerë të botës së krimit.

banner

Henrik Hoxhaj: Njihem me Nuredin Dumanin. Jam njohur në ditëlindjen e Festim Qolit në vitin 2020.

Aty u njohëm, duke ngrënë e duke pirë. Këmbyem numrat e telefonit. Disa muaj më vonë u takuam sërish. Nuredini ishte i interesuar të më takonte.

Nuk e mbaj mend saktësisht, por më duket se kemi komunikuar me telefona të kriptuar.

Kemi biseduar për disa vrasje. Ai kishte marrë porosi nga Krymi. Më tha se kishte disa “punë” për t’u bërë dhe më pyeti nëse isha i interesuar. Unë i thashë po.

Nuredini më foli për dy vrasje që do të kryheshin në Durrës. Në fillim ishin si porosi e Krymit, por më pas i paraqiti si problematika të tijat. Më tha nëse isha dakord dhe unë i thashë po.

Në këtë takim diskutuam për vrasjen e Dorian Shkozës. Do të kryhej kundrejt pagesës. Në fillim propozoi 70 mijë euro. Ai siguroi mjetet dhe armët. Shofer ishte Elio Bitri, nga Elbasani.

Si kohë, ishte pak pas takimit, gjatë pandemisë. Nuk kishim leje qarkullimi, por ishim sipas rregullave, me rrip dhe duke respektuar rregullat e qarkullimit.

Ditën e ngjarjes shkova në Durrës. U takova te shtëpia e Nuredinit dhe prej andej u nisëm. Përdorëm një makinë të zezë.

Elio ishte në timon, unë mbrapa shoferit. Kisha dy armë, ndërsa Elio një. Nuredini u nis me ne. Bëmë një xhiro te servisi. Kur kaluam herën e parë nuk ishte prezent. Kur u kthyem, ishte aty, i shoqëruar nga dy persona.

Elio më tha: “Ja ku janë.” Ishin tre persona në trotuar. Unë i qëllova nga brenda makinës. Njëra armë m’u bllokua dhe përdora tjetrën. Njëri prej tyre mbeti në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje. I thashë: “A ti je Doriani?” Ai tha jo. Pyeta Elion: “A ky është?” Ai më tha po dhe e qëllova.

Një e qëlloi edhe Elio, me një pistoletë me mulli.

Pas vrasjes hipa në makinë. Gjatë largimit i thashë të më linte te Plepat, ku kisha lënë një makinë tjetër.

Unë hipa në atë makinë me duar në xhepa, ndërsa makina tjetër u largua dhe u dogj te Bishti i Zhurit.

Nuredini ka qenë pas nesh dhe e ka parë ngjarjen. Më tha: “O kusho, doli shumë mirë.”

Pagesën e mora për ngjarjen, por 70 mijë eurot u ndanë mes meje dhe Elios. Unë mora 35 mijë euro. Nuk e di sa i dha Elios.

Pas kësaj vrasjeje kam jetuar në Tiranë. Nuk jam fshehur. Paratë, Nuredini më tha se i merrte nga Krymi.

Henrik Hoxhaj: Më vonë kemi folur për Altin Ndocin. Arsyeja ishte se Nuredini thoshte që këta donin t’ia ngjisnin atij ngjarjet e tyre.

Ishte kohë pandemie, Tirana ishte bosh. Ndoci e kishte shtëpinë në Misto Mame, por aty binte shumë në sy dhe nuk e gjeje dot. Atëherë u vendos të vritej një nga vëllezërit Haxhia, që ky të vinte në varrim dhe më pas të ekzekutohej. Sipas Nuredinit, këta ishin të gjithë bashkë me Talo Çelën.

Objektivi ishte Besmir Haxhia. Do ishte edhe Nuredini. Më duket se më ka sjellë edhe një foto.

Unë isha bashkë me Nuredinin. Shofer ishte Klevis Alla. Për këtë ngjarje kam qëndruar dy ditë në shtëpinë e Nuredinit.

Besmiri kishte disa makina me qira dhe një agjenci turistike.

Për ngjarjen përdorëm tre kallashnikovë dhe një armë brezi. Ekzekutorë do ishim unë dhe Nuredini. Ai donte ta bënim te një lokal bastesh, ta thërriste aty. Unë nuk pranova, sepse kishte shumë njerëz dhe mund të vriteshin persona të pafajshëm.

Më pas u nisëm me një “Toyota” me portobagazh. Unë mbaja kallashnikovin në dorë dhe kisha edhe një armë të shkurtër pranë. Veshjet i kishim uniforma OFL. Kishim edhe maska silikoni, por unë nuk e vura.

Dolëm në drekë nga shtëpia. Në Shënavlash, kur kaloi makina e tij, shoferi ynë pa që ishte me vëllanë. Ia tha Nuredinit dhe ai u përgjigj: “Mirë, i vrasim të dy.” I ndoqëm për pak, por ata ecnin shpejt. Më pas u bllokuan në trafik. U dolëm nga një rrugë anësore dhe hapëm zjarr. Qëllova edhe unë edhe Nuredini.

Nuredini zbriti nga makina. I thashë pse po zbriste kot, se i kishim neutralizuar. Ai qëlloi, por arma iu bllokua, pastaj iu bllokua edhe tjetra. Atëherë mora unë armën, zbrita dhe godita disa herë. Unë godita shoferin.

Shoferi na çoi te makina e Nuredinit dhe shkuam në Tiranë. Kapuçët i hodhëm në Vorë. Armët i lamë në makinë, të cilën e mori shoferi.

Për këtë ngjarje mora edhe 35 mijë euro.

Unë nuk kam pasur komunikim me Krymin. Kur mora vesh se ishte arrestuar Klevis Alla, i thashë Nuredinit: “Çfarë bën, na more në qafë.” Ai më tha: “Mos u shqetëso.”

Kur u kap ai, ka thënë se pas ngjarjes qëndronin Altin Ndoci dhe Talo Çela. Unë u habita dhe thashë: “Çfarë thotë ky?”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy