Gjykata Kushtetuese, e cila u mblodh sot në lidhje me “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme mbi vendimin për pezullimin e ushtrimit të detyrës së një anëtari të Këshillit të Ministrave”, nuk mori as sot një vendim mbi rastin “Balluku”.
Kjo është mbledhja e dytë e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka në rend dite shpalljen e vendimit për pezullimin e ligjshëm nga detyra apo jo të Belinda Ballukut nga GJKKO, por që mbyllet pa vendim.
Kryeministri Edi Rama ankimoi vendimin e GJKKO për shfuqizimin e masë së pezullimit nga detyra e zv.kryeministres dhe e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndërkohë Gjykata Kushtetuese rikthehu në detyrë numrin dy të qeverisë. Gazetarja Klodiana Lala raportou në një lidhje live për News24 se pritet të shihet nëse Gjykata do të dalë me një vendim për Ballukun, pas seancës publike të mbajtur më 22 janar, apo do të kërkojë sërish kohë.
“Sot GJK është mbledhur dy herë deri më tani, 10:00 dhe 11:00, për çështje të tjera dhe e treta në radhë është kërkesa e kryeministrit që kërkon shpalljen si antikushtetuese të pezullimit të Belinda Ballukut. Burime për News 24 bëjnë me dije se do të mblidhen sërish gjyqtarët në dhomë këshillimi për të vendosur, nuk dihet nëse do të dalin me një vendim apo do të kërkojnë sërish kohë.”, pohoi gazetarja.
PEZULLIMI I BALLUKUT NGA GJKKO
Gjykata e Posaçme vendosi që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Balluku akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese, ndërsa akuzave u është shtuar edhe shkelje e barazisë me tendera në Unazën e Madhe
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Edi Ramës në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej më shumë se pesë vitesh drejton portofolin më të madh qeveritar.
Akuzat me të cilat përballet Balluku:
Ndryshe nga më parë, kur numri dy i qeverisë ishte e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe, SPAK njoftoi se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë. E se i duhet leje për ta arrestuar.
“Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, thuhet në kërkesën e SPAK./BalkanWeb

