Bill Gates ka folur hapur për herë të fundit mbi përmendjen e emrit të tij në të ashtuquajturat Epstein Files, pas një thirrjeje publike nga ish-bashkëshortja e tij, Melinda French Gates, që ai të adresonte këto akuza.
Dokumentet e publikuara së fundmi tregojnë se Jeffrey Epstein i kishte dërguar vetes email-e ku pretendonte se Gates kishte marrë një sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe se kishte pasur marrëdhënie me “vajza ruse”, duke shkuar deri aty sa të pretendonte se Gates i kishte kërkuar antibiotikë për t’ia dhënë fshehurazi Melindës. Gates i ka mohuar kategorikisht këto pretendime.
Në një intervistë për 9 News Australia, Gates u shpreh se email-et në fjalë nuk janë të vërteta. “Me sa duket, Jeffrey i ka shkruar vetes një email. Ai email nuk është dërguar kurrë dhe përmbajtja e tij është e rreme. Nuk e di se çfarë ka pasur në mendje”, tha ai.
Duke dhënë kontekst mbi marrëdhënien e tij me financierin tashmë të diskredituar dhe të dënuar për krime seksuale, Gates shpjegoi se e kishte njohur Epstein në vitin 2011 dhe se për rreth tre vjet kishin pasur disa darka. “Fokusi ishte gjithmonë tek filantropia. Ai pretendonte se mund të bindte njerëz shumë të pasur të kontribuonin për shëndetin global. Në retrospektivë, kjo ishte një rrugë pa krye”, u shpreh miliarderi.
Gates theksoi edhe një herë pendesën e tij: “E kam thënë shumë herë dhe do ta them sërish – isha budalla që kalova kohë me të. Jam një nga shumë njerëzit që pendohet që e ka njohur ndonjëherë.”
I pyetur pse Epstein do të shpikte histori të tilla për seks dhe sëmundje, Gates u përgjigj shkurt: “Është faktikisht e vërtetë që unë isha vetëm në darka. Nuk kam shkuar kurrë në ishull. Nuk kam takuar asnjë grua. Sa më shumë që del në dritë, aq më e qartë bëhet se, edhe pse ajo kohë ishte një gabim, nuk kishte asnjë lidhje me një sjellje të tillë.”
Edhe pse lidhja e tij me Epstein e ka ndjekur prej më shumë se shtatë vitesh, Gates thotë se nuk është ndjerë i frustruar nga thashethemet. Sipas tij, njerëzit e suksesshëm duhet të mbahen nën standarde të larta dhe dokumentet duhet të shqyrtohen me kujdes.
Ndryshe nga ai, Melinda French Gates ka pranuar se kjo çështje e ka prekur më thellë. Në podcastin e NPR, “Wild Card”, ajo tha se disa detaje nga dosjet i rikthyen “kujtime nga disa periudha shumë, shumë të dhimbshme të martesës sime”, duke shtuar se tashmë ka ecur përpara dhe ka zgjedhur ta lërë pas të shkuarën.
Më herët, një zëdhënës i Bill Gates kishte deklaruar për TMZ se akuzat janë “absolutisht absurde dhe plotësisht të pavërteta”, duke theksuar se dokumentet tregojnë vetëm frustrimin e Epstein-it për mungesën e një marrëdhënieje të vazhdueshme me Gates dhe përpjekjet e tij për ta komprometuar atë.

