Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar reagime të forta pas një përplasjeje verbale me gazetaren e CNN, Kaitlan Collins, gjatë një deklarate për shtyp në Zyrën Ovale. Incidenti ndodhi teksa Collins po i drejtonte presidentit një pyetje lidhur me të mbijetuarit e abuzimeve seksuale të kryera nga Jeffrey Epstein.
Teksa gazetarja nisi pyetjen: “Çfarë do t’u thoshit të mbijetuarve…”, Trump e ndërpreu menjëherë me fjalët: “Je shumë e keqe”. Collins vazhdoi pyetjen e saj: “…që ndihen sikur nuk kanë marrë drejtësi?”, por presidenti reagoi sërish me tone fyese.
“Ti je gazetarja më e keqe. Nuk është çudi që CNN nuk ka audiencë për shkak të njerëzve si ti. Je një grua e re, por nuk besoj se të kam parë ndonjëherë të buzëqeshësh. Të njoh prej 10 vitesh dhe nuk mendoj se kam parë ndonjëherë një buzëqeshje në fytyrën tënde”, tha Trump.
Collins iu përgjigj duke theksuar seriozitetin e çështjes: “Po ju pyes për të mbijetuarit e Jeffrey Epstein, zoti President.” Por kjo nuk e ndali Trumpin, i cili vijoi sulmin ndaj saj dhe rrjetit CNN: “E di pse nuk buzëqesh? Sepse e di që nuk po thua të vërtetën. Ju jeni një organizatë shumë e pandershme dhe duhet të turpëroheni.”
Kur gazetarja shtoi se “këta janë të mbijetuar të një abuzuesi seksual”, Trump nuk dha një përgjigje direkte për thelbin e pyetjes, duke e zhvendosur vëmendjen tek sulmet personale.
Ky nuk është rasti i parë që presidenti amerikan përdor gjuhë fyese ndaj gazetarëve. Së fundmi, ai e ka quajtur korrespondenten e CBS, Nancy Cordes, “budallaqe”, gazetaren e The New York Times, Katie Rogers, “të shëmtuar”, ndërsa Catherine Lucey e Bloomberg News u përball me fjalët “Hesht, derr” kur e pyeti Trumpin për publikimin e dosjeve të Epstein.
Deklaratat e përsëritura të presidentit ndaj mediave kanë rikthyer në vëmendje shqetësimet për lirinë e shtypit dhe gjuhën denigruese ndaj gazetarëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për tema të ndjeshme si drejtësia për viktimat e abuzimeve seksuale.

