Një tragjedi e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Rughi, një zonë e komunës Porcari në provincën e Luccës, një qytet me rreth 9 mijë banorë në rrafshinën e Luccës. Një familje e tërë është shuar si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.
Viktima janë anëtarët e familjes Kola: babai 48 vjeç, nëna 42 vjeçe dhe dy fëmijët e tyre, një djalë 23 vjeç dhe vajza 15 vjeçe.
Nga kjo tragjedi ka mbijetuar djali i tretë i familjes, i cili u transportua me urgjencë në gjendje shumë të rëndë (kod i kuq) në spitalin Cisanello të Pizës.
Sipas verifikimeve të para, shkaku i vdekjes dyshohet të jenë gazrat e monoksidit të karbonit që janë çliruar nga kaldaja e ngrohjes. Hetimet teknike të zjarrfikësve do të përcaktojnë më saktë shkaqet e ngjarjes, ndërsa aktualisht po shqyrtohet hipoteza e një defekti apo funksionimi të gabuar të impiantit.
Alarmi u dha pasi familja nuk iu përgjigj telefonatave të vëllait të kryefamiljarit. I shqetësuar, ai shkoi personalisht në banesë dhe, sapo kuptoi çfarë kishte ndodhur, kërkoi ndihmë. Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimi i urgjencës 118, karabinierët dhe zjarrfikësit, të cilët fatkeqësisht konstatuan se të katër anëtarët e familjes kishin ndërruar jetë.
I afërmi që dha alarmin u ndje keq dhe u transportua me urgjencë në spitalin Cisanello në Pizë, në gjendje të rëndë. Të dhënat e fundit raportojnë se aktualisht ai jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, tre efektivë të karabinierëve që hynë në banesë për të tentuar shpëtimin e familjarëve u intoksikuan lehtë dhe u shtruan në spital për kontrolle, por gjendja e tyre nuk është shqetësuese.
Qendra operative e urgjencës 118 koordinoi të gjithë operacionin e ndihmës. Fillimisht ishte kërkuar edhe ndërhyrja e helikopterit Pegaso, por pas konstatimit të vdekjes së katër anëtarëve të familjes, misioni u anulua. Zjarrfikësit tentuan gjithçka për t’i shpëtuar, por ishte tepër vonë.
Familja ishte e njohur dhe e vlerësuar nga komuniteti, e integruar plotësisht në jetën e zonës. Kryetari i bashkisë, Leonardo Fornaciari, shprehu ngushëllimet e tij:
“Një dhimbje e jashtëzakonshme, nuk ka fjalë për të përshkruar atë që po ndiejmë. Mund të jemi vetëm pranë familjarëve të tyre në këtë moment kaq të vështirë.”
Hetimet do të vijojnë në ditët në vijim për të zbardhur plotësisht shkaqet e kësaj tragjedie, ndërsa një komunitet i tërë është zhytur në zi.

