SHBA-ja miraton fonde për shtetet baltike teksa Rusia teston krahun lindor të NATO-s

by informim peje

Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar një fond prej 200 milionë dollarëve si asistencë sigurie për shtetet e Baltikut, teksa intensifikohet aktiviteti rus në krahun lindor të NATO-s.

Fondet, që janë miratuar këtë javë në kuadër të shpenzimeve për vitin fiskal 2026, garantojnë fonde për Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë nën Iniciativën për Siguri të Baltikut.

banner

Paketa prej 838.7 milionë dollarëve, e nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, më 3 shkurt, parasheh rritje të bashkëpunimit me tri shtetet baltike, pavarësisht përpjekjeve të kaluara të Pentagonit për t’i eliminuar ato.

Rreth 10 milionë dollarë shtesë i janë ndarë Estonisë nga programin për financim të ushtrive të huaja, fonde të cilat Tallini i ka përdorur më parë për të blerë pajisje HIMARS, raketa Javelin dhe predha artilerie të kalibrit të madh.

“Ky është parandalim shumë i mirë për aleatët tanë të Baltikut”, ka thënë kongresisti Don Bacon në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se kjo çështje është kthyer në prioritet pasi Departamenti amerikan i Mbrojtjes* ka dhënë sinjale për ndalje të fondeve për programin.

“Kongresi është i përkushtuar për aleancë të fuqishme të NATO-s dhe ne e dimë që duhet vëmendje më e madhe sa i përket Baltikut”, ka thënë ai, duke shtuar se historia është dëshmi për rrezikun që kanoset nga braktisja e angazhimeve globale.

“Shumica në Kongres janë të përkushtuar për NATO-n dhe ne e dimë që kemi nevojë për miq për ta luftuar Kinën, Rusinë dhe Iranin. Nuk mund ta bëjmë vetë. Amerika vetëm është një Amerikë e dobësuar”, ka thënë Bacon.

Tri shtetet baltike, të gjitha anëtare të NATO-s dhe mbështetëse të Ukrainës, kanë parë shkelje të hapësirave të tyre territoriale nga aeroplanët dhe dronët rusë në muajt e fundit.

Bacon ka thënë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës, që shpejt po hyn në vitin e pestë, është kërcënim përtej kufijve të Ukrainës. Ai ka thënë se mënyra se si përfundon konflikti, më i përgjakshmi në Evropë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, do të formësojë ambientin e sigurisë për shtetet baltike dhe fqinjët tjerë më të brishtë.

“Nëse Ukraina humb, atëherë duhet ta dimë që Moldavia do të jetë e radhës”, ka thënë ai.

“Ne nuk duhet të jemi neutralë. Ne duhet të qëndrojmë në anën e lirisë dhe kundër një banditi diktator”.

Për shtetet baltike, miratimi i fondeve shkon përtej vendimeve buxhetore.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budrys, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 4 shkurt se vendimi vërteton se ky rajon përbën linjën e frontit të NATO-s.

Budrys i ka përmendur edhe rreziqet tjera që i kanosen rajonit, përfshirë operacionet hibride ruse dhe bjelloruse.

Kristen Taylor, nga Iniciativa për Siguri Transatlantike në Këshillin Atlantik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se legjislacioni është miratuar në kohën e urgjencës në rritje, për shkak të aktivitetit rus.

Sipas saj, ky financim është miratuar për t’i rritur kapacitetet ushtarake për aleatët e Baltikut. /REL/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy