Presidenti amerikan Donald Trump ka përmendur Kosovën dhe Serbinë si një konflikt që, sipas tij, është përfunduar, gjatë fjalimit të mbajtur në ngjarjen tradicionale National Prayer Breakfast në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pamje nga ky fjalim janë publikuar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili përmes një postimi në rrjete sociale ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet në vëmendjen e Presidentit Trump.
“Kosova është sërish në mendje dhe në zemër të Presidentit Trump gjatë Lutjeve të Mëngjesit. Kënaqësi të isha pjesë e kësaj ngjarjeje”, ka shkruar Hoxhaj, duke shpërndarë edhe video nga momenti i fjalimit.
Ngjarja e Lutjeve të Mëngjesit organizohet çdo vit dhe mbledh liderë politikë, diplomatë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme të botës. Përmendja e Kosovës nga Presidenti amerikan në këtë forum shihet si një sinjal i vazhdueshëm i interesimit dhe vëmendjes së Shteteve të Bashkuara ndaj zhvillimeve në rajon.

