Maqedonci mohon lejet për dronë luftarakë, paralajmëron ligje të reja

by informim peje

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se deri më tani në Kosovë nuk është lëshuar asnjë leje për prodhimin e dronëve luftarakë apo dronëve me përdorim të dyfishtë.

Ai ka bërë të ditur se në një aktivitet të zhvilluar në tetor, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, janë vlerësuar inovatorë në fushën e dronëve, ku është prezantuar edhe droni “Skifter”.

banner

Sipas tij, në këtë aktivitet janë prezantuar vetëm dronë me helika, përkatësisht dronë të vegjël, dhe Ministria nuk ka qenë e informuar për testime të mundshme të dronëve të tipit “Skifter”.

“Ne, në muajin tetor, bashkë me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, kemi zhvilluar një aktivitet të hapur për vlerësimin e inovatorëve në fushën e dronëve. Ndër këto kompani ka qenë edhe ajo që ka prezantuar dronin ‘Skifter’, mirëpo aty janë prezantuar vetëm dronë me helika, një lloj tjetër i dronëve, dronë të vegjël. Për pjesën tjetër, ne nuk kemi qenë të informuar për ndonjë testim të mundshëm të një droni të tillë si ‘Skifteri’. Si Ministri, por as institucionet e tjera në Kosovë, nuk kanë lëshuar ende ndonjë leje për prodhimin e dronëve luftarakë apo dronëve me përdorim të dyfishtë”, ka deklaruar Maqedonci në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ai ka shtuar se aktualisht po zhvillohen diskutime me shumë inovatorë të ndryshëm në Kosovë, por edhe me kosovarë që jetojnë në Perëndim, të cilët po komunikojnë me Ministrinë e Mbrojtjes për të prezantuar produktet e tyre.

Maqedonci ka paralajmëruar se në qeverisjen e ardhshme, Kurti 3, do të rregullohen aspektet ligjore dhe do të përgatiten rregulloret dhe dokumentet e nevojshme për testimin, vlerësimin dhe licencimin e dronëve ushtarakë.

Ai po ashtu ka theksuar se fabrika e municionit do të licencohet nga një vend anëtar i NATO-s, Turqia, dhe se prodhimi do të realizohet sipas standardeve të NATO-s.

“Në qeverisjen e ardhshme Kurti 3 do të rregullojmë aspektin ligjor, dokumentet, rregulloret dhe ligjet e nevojshme për të adresuar çështjen e testimeve, vlerësimeve dhe licencimeve të produkteve ushtarake, përfshirë dronët ushtarakë. Sa i përket fabrikës së municionit, ajo do të licencohet nga një vend i NATO-s, konkretisht nga Turqia, për prodhim sipas standardeve të NATO-s. Aty ku nuk kemi ekspertizë të brendshme, do të angazhojmë edhe ekspertizë të jashtme”, ka theksuar ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy