Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka sqaruar se paraqitja e logove të komunave në platformën digjitale E-Komunat është një proces teknik e administrativ, pa lidhje me ndryshime politike.
Reagimi erdhi pasi komunat veriore shfaqën logo me motive serbe. MAPL kujtoi se gjatë fazës së parë të funksionalizimit në vitin 2023, të gjitha komunat e Kosovës u paraqitën me logot zyrtare të kohës, përfshirë Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun.
Sipas ministrisë, këto katër komuna miratuan logo të reja në vitin 2025 dhe tashmë po zhvillohet procesi i përditësimit në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit.
“Publiku njoftohet se të gjitha logot zyrtare do të pasqyrohen në profilet përkatëse, në përputhje me vendimet dhe standardet institucionale,” thuhet në deklaratën e MAPL-së.

