Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka marrë sot mbështetjen e kryetarit të BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, për Marshin “Drejtësi, jo politikë” që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, e informuan Ahmetin për misionin e tyre, aktivitetet e zhvilluara dhe mobilizimin qytetar në mbrojtje të çlirimtarëve të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Ahmeti e cilësoi kauzën si historike dhe kombëtare, duke theksuar se drejtësia për çlirimtarët është pjesë e dinjitetit kolektiv të shqiptarëve: “Ata që udhëhoqën luftën çlirimtare nuk mund të mbahen peng i padrejtësive politike. Vendi i tyre është pranë popullit.”
Eliza Hoxha nënvizoi se mobilizimi po rritet çdo ditë dhe marshi i 17 shkurtit do të jetë shprehje e një zëri të fuqishëm qytetar.
Ndërsa Ismail Tasholli theksoi dimensionin gjithëkombëtar të thirrjes, duke e parë mbështetjen nga liderët shqiptarë në rajon si forcim të mesazhit.
Platforma “Liria ka Emër” paralajmëron vazhdimin e vizitave dhe takimeve me përfaqësues politikë e shoqërorë në rajon dhe diasporë, për të siguruar pjesëmarrje masive në marshin e Prishtinës.

