Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar një aksion të gjerë kundër tregtimit ilegal në tregun e automjeteve, i cili do të zhvillohet nesër në orët e hershme të mëngjesit.
Sipas njoftimit zyrtar, më 8 shkurt, duke filluar nga ora 05:00, ekipet e Inspektoratit të Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, do të veprojnë në lokacionin e tregut të automjeteve dhe hapësirat përreth.
Qëllimi i aksionit është zbatimi i ligjit dhe marrja e masave ndaj shitësve ilegalë, tregtimit të paautorizuar të shpezëve e kafshëve, si dhe çdo veprimtarie që bie ndesh me rregulloret dhe legjislacionin në fuqi.
Komuna ka ftuar qytetarët dhe subjektet afariste të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse gjatë aksionit.

