Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj ka folur sot në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova për gjendjen alarmante të sigurisë rrugore në vend, duke u ndalur te numri i lartë i viktimave nga aksidentet ndër vite.
Duke komentuar statistikat që nga viti 2000, Dedaj theksoi se mbi 3 mijë persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku, ndërsa sipas tij, mungesa e një qasjeje institucionale dhe strategjike mbetet problem serioz.
“Mbi 3 mijë janë, unë e kam parë se në Kosovë është shumë pak përgjegjësia që jepet sa i përketë këtyre, sidomos tek faktori rrugë”, tha ai në Klan Kosova.
Ai shtoi se përgjegjësia për këto raste shpesh nuk adresohet si duhet, veçanërisht kur bëhet fjalë për infrastrukturën rrugore.
“Ne nuk kemi strategji sa i përket sigurisë së komunikacionit rrugor, pastaj nuk i kemi të krijuara as institucionet përkatëse të cilat merren me hulumtimin e analizave të aksidenteve, siç janë institutet përkatëse, profesionale dhe shkencore”, u shpreh Dedaj.

