Mesfushori veteran do të shuajë dyshimet për zgjatjen e kontratës në fund të sezonit, por klubi kuqezi gjithsesi po merr masat.
Ka një Milan me Luka Modriç dhe një Milan pa Luka Modriç. Distanca është e madhe, kjo është evidente. Pas kroatit fenomenal, në sfond nuk ka asnjë lojtar që realisht mund ta zëvendësojë aktualisht. Ka një boshllëk, por ka edhe shpresa.
Modriç do të vendosë për të ardhmen në fund të sezonit, nëse do të vazhdojë edhe një vit me Milanin, apo do të kthehet në Zagreb për të mbyllur karrierën ku e nisi. Ose ndoshta mund t’i japë lamtumirën futbollit.
Nëse kroati ikën, atëherë trajnerit Allegri i duhet një regjisor për sezonin tjetër. Emrat janë dy dhe që të dy këtë sezon po marrin mësime nga Modriç, duke i vjedhur ”sekretet”. Janë Riçi dhe Jashari. I pari është spostuar disi për t’i lënë hapësirën ish-lojtarit të Realit, kurse për të dytin është investuar shumë në verë dhe pas një viti ambientim mund të shpërthejë.
Tare mund të ndërhyjë edhe në merkato, por të gjejë profilin e duhur, me karakteristikat e kroatit, është shumë e vështirë. Drejtori sportiv dhe Allegri do të provojnë me të gjitha mënyrat të bindin Lukën të qëndrojë edhe një vit, por e dinë që vendimi i tij varet nga shumë faktorë, përfshirë edhe atë familjar.
Merkaton e ardhshme nuk do të jetë nevoja për shumë lëvizje, si sezonet e fundit, por nuk duhet gabuar në zgjedhje. Investimi më i madh do të bëhet në sulm dhe në mbrojtje, duke shpresuar që Milani të niset nga kjo bazë e mirë dhe nga regjia e Luka Modriç.

