Rubio niset për Konferencën e Mynihut, Bratislavës dhe Budapestit, aleatët kërkojnë garanci nga Uashingtoni

by engel

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të udhëtojë këtë javë në Gjermani për të kryesuar një delegacion të nivelit të lartë në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih, përpara se të vazhdojë vizitat zyrtare në Sllovaki dhe Hungari, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.

Vizita zhvillohet në një moment kyç për marrëdhëniet transatlantike, teksa Uashingtoni dhe aleatët e tij evropianë po përballen me një klimë mosbesimi në rritje lidhur me çështjet e sigurisë, tregtisë dhe vetë të ardhmen e aleancës transatlantike. Këto tensione pritet të jenë në qendër të diskutimeve në Konferencën e Mynihut.

banner

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila së shpejti hyn në vitin e pestë që nga nisja e pushtimit të plotë në vitin 2022, do të jetë një nga temat kryesore të konferencës. Po ashtu, në fokus do të jenë edhe tensionet lidhur me Iranin dhe zhvillimet e sigurisë globale.

Pjesëmarrja e Rubios në konferencën që mbahet më 13–15 shkurt do të pasohet nga vizita në Bratislavë dhe Budapest më 15–16 shkurt, duke sinjalizuar vëmendjen e administratës amerikane ndaj Evropës Qendrore në një periudhë pasigurie strategjike.

Sipas Departamentit të Shtetit, në Sllovaki Rubio pritet të takohet me zyrtarë të lartë për të avancuar bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë dhe projektet e energjisë bërthamore. Ndërkaq, në Hungari, fokusi do të jetë në marrëdhëniet dypalëshe dhe përpjekjet për paqe që synojnë zgjidhjen e konflikteve globale.

Një nga momentet më të rëndësishme të kësaj vizite pritet të jetë fjalimi i Rubios në Mynih më 14 shkurt, i cili do të përcillet me vëmendje të veçantë, sidomos në dritën e konferencës së vitit të kaluar, kur deklaratat e nënpresidentit amerikan JD Vance shkaktuan reagime të shumta në Evropë. Në atë kohë, Vance akuzoi liderët evropianë për kufizim të lirisë së shprehjes dhe dështim në menaxhimin e migracionit, duke lënë pas një ndjenjë shqetësimi në Bruksel dhe kryeqytete të tjera evropiane.

Kjo pasiguri pasqyrohet edhe në raportin vjetor të Konferencës së Sigurisë në Mynih, të publikuar këtë javë, ku paralajmërohet se Evropa po përballet me një “epokë të zgjatur përballjeje”, të nxitur nga agresioni rus. Raporti thekson gjithashtu se sfida më e madhe për rendin liberal ndërkombëtar mund të vijë “nga brenda”, duke iu referuar ndryshimeve të thella në qasjen amerikane ndaj aleancave.

Autorët e raportit e cilësojnë presidentin amerikan Donald Trump si “figurën më të fuqishme që po godet rregullat dhe institucionet ekzistuese”, duke paralajmëruar se marrëveshjet transaksionale mund të zëvendësojnë bashkëpunimin e bazuar në parime dhe se rajonet mund të dominohen nga fuqitë e mëdha, në vend se të qeverisen nga rregulla dhe norma ndërkombëtare.

Këto vlerësime janë kundërshtuar nga ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, i cili ka deklaruar se Uashingtoni synon ribalancimin, e jo shpërbërjen e rendit pasluftës. Duke folur më 9 shkurt, Whitaker hodhi poshtë idenë se SHBA-ja po largohet nga aleancat tradicionale.

“Ne po përpiqemi ta bëjmë NATO-n më të fortë,” tha ai, duke theksuar se presioni ndaj aleatëve evropianë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes lidhet me rritjen e kapaciteteve dhe jo me braktisjen e aleancës.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Daniel Fried, ka vlerësuar se shqetësimi i aleatëve evropianë është i kuptueshëm, por ka paralajmëruar se reagimet emocionale nuk ofrojnë zgjidhje strategjike. Sipas tij, Evropa duhet të fokusohet në forcimin e kapaciteteve të veta dhe në bashkëpunim më të ngushtë me SHBA-në.

Në këtë kontekst, vizita e Rubios shihet si një përpjekje për të qetësuar aleatët dhe për të sqaruar dallimin mes ribalancimit të angazhimit amerikan dhe një tërheqjeje të mundshme nga arkitektura ekzistuese e sigurisë transatlantike./REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy