Transparency International: Kosova bën hap prapa në luftën kundër korrupsionit

by engel

Kosova ka shënuar rënie në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, të publikuar nga organizata ndërkombëtare Transparency International (TI). Sipas raportit, Kosova është vlerësuar me 43 pikë, një pikë më pak se vitin e kaluar, duke u renditur në vendin e 76-të nga gjithsej 182 vende dhe territore, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Rënia prej një pike bën që Kosova të humbasë tri pozita në renditjen globale krahasuar me vitin 2024, kur ishte vlerësuar me 44 pikë dhe renditej e 73-ta. Vlerësimi me pikë në këtë indeks mat nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik, nga zero – që nënkupton korrupsion ekstrem – deri në 100 pikë, që tregon mungesë të korrupsionit.

banner

Kosova është pjesë e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit që nga viti 2012. Vlerësimin më të dobët e kishte në vitet 2013, 2014 dhe 2015, kur ishte vlerësuar me nga 33 pikë. Përmirësimi më i dukshëm u shënua në vitin 2024, por raporti i fundit tregon se progresi nuk është konsoliduar.

Në krahasim me vendet e rajonit për vitin 2025, Mali i Zi është vlerësuar më së miri me 46 pikë, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 40 pikë. Shqipëria ka shënuar rënie të ndjeshme, duke kaluar nga 42 në 39 pikë, ndërsa Bosnje e Hercegovina është vlerësuar me 34 pikë dhe Serbia me 33 pikë, që të dyja me rënie krahasuar me vitin paraprak.

Në raportin për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, Transparency International thekson se institucionet e dobëta dhe ngecjet demokratike po e nxisin korrupsionin dhe po e kufizojnë hapësirën për shoqërinë civile. Sipas TI-së, përqendrimi i pushtetit, ndikimi politik mbi gjyqësorin dhe presioni ndaj organizatave civile po dobësojnë mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes publike.

Organizata vë në pah edhe Ballkanin Perëndimor, ku, sipas raportit, mungesa e transparencës në vendimmarrje për projekte të mëdha investuese mbetet një problem i përbashkët. “Pezullimi i rregullave për transparencë dhe përdorimi i kompetencave diskrecionale po i ekspozojnë fondet publike ndaj rrezikut të korrupsionit dhe po e dëmtojnë besimin e qytetarëve”, thuhet në raport.

Raporti përmend raste konkrete në Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri dhe Serbi, duke i ndërlidhur ato me mungesën e procedurave konkurruese, shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe vendime të kontestuara për projekte të mëdha investuese. Po ashtu, TI thekson se në disa vende të rajonit, përgjigjja e dobët e gjyqësorit dhe presioni politik ndaj prokurorëve e gjyqtarëve mbeten pengesa serioze për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Në nivel global, Transparency International vlerëson se situata e korrupsionit është përkeqësuar. Mesatarja globale e indeksit ka rënë në 42 pikë, ndërsa 122 nga 182 shtete janë vlerësuar me nën 50 pikë. Numri i vendeve që kanë marrë mbi 80 pikë ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.

Sipas indeksit të këtij viti, Danimarka, Finlanda dhe Singapori vazhdojnë të kryesojnë listën e vendeve më pak të korruptuara, ndërsa në fund të renditjes mbeten Venezuela, Somalia dhe Sudani.

Transparency International thekson se indeksi mat perceptimin e korrupsionit në sektorin publik, duke përfshirë ryshfetin, keqpërdorimin e fondeve publike, kapjen e shtetit dhe transparencën institucionale, por nuk përfshin përvojat direkte të qytetarëve apo korrupsionin në sektorin privat.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy