Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me propozimin e Zyrës së Prokurorit Special për dënimin e katër figurave udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, ish-President i Republikës së Kosovës; Kadri Veseli, ish-Kryetar i Kuvendit; Jakup Krasniqi, ish-Kryetar i Kuvendit; dhe Rexhep Selimi, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.
ASHAK shpreh shqetësim të thellë për rrjedhën e këtij procesi, duke theksuar se ai duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe me respektim të plotë të të drejtave të njeriut, ashtu siç përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas Akademisë, çdo shmangie nga këto standarde përbën një ndikim politik që dëmton legjitimitetin dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor.
Në deklaratë vihet në pah rëndësia historike dhe morale e luftës çlirimtare të UÇK-së, e cila, sipas ASHAK-ut, u zhvillua për mbrojtjen e popullatës civile dhe për çlirimin e Kosovës. Kontributi i udhëheqësve dhe luftëtarëve të UÇK-së konsiderohet vendimtar në këtë proces historik dhe, sipas Akademisë, nuk mund të relativizohet apo të stigmatizohet përmes një procesi që mund të jetë i ndikuar politikisht.
Po ashtu, ASHAK kundërshton fuqishëm çdo përpjekje për relativizimin e gjenocidit serb mbi popullatën civile në Kosovë. Sipas saj, lufta e UÇK-së dhe sakrificat e shqiptarëve për liri janë pjesë e një historie të dokumentuar dhe nuk mund të mohohen apo të keqinterpretohen për qëllime të tjera. Akademia paralajmëron se interpretimet e njëanshme që synojnë stigmatizimin e luftës çlirimtare përbëjnë kërcënim serioz për kujtesën historike dhe drejtësinë kolektive të popullit të Kosovës.
Në këtë kontekst, Kryesia e ASHAK-ut propozon që institucionet e Kosovës të ndërtojnë mekanizma të pavarur për monitorimin e shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale. Këta mekanizma, sipas deklaratës, do të garantonin transparencë, llogaridhënie dhe respektim të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë, duke mbrojtur njëkohësisht të drejtat e individëve të përfshirë në proces dhe vlerat historike të luftës së popullit të Kosovës.
Në fund, ASHAK vlerëson se një qasje e tillë është jetike për funksionimin e institucioneve demokratike të vendit, për ruajtjen e kujtesës historike dhe për forcimin e sundimit të ligjit. Akademia shpreh gatishmërinë e saj për të ofruar ekspertizë shkencore dhe profesionale në ndërtimin e mekanizmave monitorues, me qëllim që çdo proces gjyqësor të zhvillohet me drejtësi, paanshmëri dhe respekt për vlerat historike dhe qytetare të Kosovës./Informim

