Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër” janë pritur sot në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar organizimin e marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
Në takim morën pjesë Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, të cilët e njoftuan presidenten me qëllimet dhe mesazhin e marshit, që përkon me Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e ruajtjes së parimeve të drejtësisë së paanshme, për vlerat e luftës çlirimtare si dhe për përgjegjësinë institucionale dhe shoqërore në kultivimin e kujtesës historike tek brezat e rinj.
Presidentja Osmani shprehu mbështetjen e saj për këtë iniciativë qytetare, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe përcjelljes së vlerave kombëtare.
“E mbështes këtë iniciativë qytetare. Vlerat kombëtare dhe ato të luftës për liri duhet t’i mbrojmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj si pjesë të krenarisë sonë kolektive,” u shpreh Osmani.
Nga ana e saj, Eliza Hoxha tha se mbështetja institucionale dhe shoqërore që po merr marshi dëshmon karakterin e tij qytetar dhe gjithëpërfshirës.
“Ky marsh është një thirrje për respektimin e drejtësisë së paanshme dhe për ruajtjen e dinjitetit të historisë sonë. Kur institucionet dhe qytetarët flasin me një zë për drejtësi, mesazhi bëhet më i fuqishëm,” deklaroi ajo.
Edhe Ismail Tasholli theksoi simbolikën e datës 17 Shkurt, duke e cilësuar atë si një moment që bashkon qytetarët rreth vlerave themelore të shtetit.
“Ne besojmë se drejtësia duhet të jetë e ndarë nga politika dhe në shërbim të së vërtetës. Më 17 shkurt, qytetarët do të japin një mesazh të qartë për unitet, dinjitet dhe respekt për sakrificën e lirisë,” u shpreh Tasholli.
Platforma “Liria ka Emër” falënderoi Presidenten e Republikës për pritjen dhe mbështetjen, duke ftuar qytetarët që në Ditën e Pavarësisë të bashkohen në marshin me moton “Drejtësi, jo politikë”.

