Bedri Elezi, eksperti i sigurisë, një pjesëmarrës në shpëtimin e Eva Dumanit nga kampi Al-Hol, ka ndarë detajet për Euronews Albania në “Review” me Greta Topjanën lidhur me operacionin e shpëtimit. Elezi ka treguar mënyrën sesi ka ndihmuar në shpëtimin e saj.
“Së fundmi isha në kampin atje dhe bëmë një përpjekje për ta riatdhesuar, por personi që ishte i autorizuar ishte i huaj dhe kjo krijoi disa probleme. Ai nuk kishte autorizim nga nëna e Evës për ta kryer këtë proces. Situata ndryshoi, Eva kishte arritur të largohej nga kampi, ku në shkretëtirë, së bashku me disa gra të tjera, kishte tentuar të ecte 4 orë. Kishin kaluar edhe në zona të minuara, por më vonë arritën në një fshat, i cili ishte në përfundim të zonës së shkretëtirës, ku kontaktuan me disa qytetarë sirianë që i ndihmuan të kontaktojnë me familjarët. Qyteti quhet Salkin. Kishte një komunitet shqiptar aty që është afër kufirit me Turqinë. Nga aty unë, me disa miq, e sollëm në një vend ku ishte daja i saj dhe vëllai i saj. Kemi pritur 1 javë nga autoritetet shqiptare që të deportohet nga Turqia.”-tha Elezi.

