Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur sot në takim nga Kryetarja e re e Kuvendi i Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Në këtë takim është diskutuar për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet nesër në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë. Po ashtu, u theksua rëndësia e një mobilizimi dinjitoz në një moment të cilësuar si vendimtar për këtë proces.
Eliza Hoxha deklaroi se marshimi përfaqëson ndërgjegjen qytetare dhe unitetin përtej dallimeve politike.
“Ky marsh është zë i qytetarëve për drejtësi dhe dinjitet. Është moment kur shoqëria jonë tregon se di të bashkohet për çështje që e tejkalojnë politikën,” u shpreh ajo.
Ndërsa Ismail Tasholli theksoi se pjesëmarrja masive do të përçojë mesazh të qartë për respektimin e së vërtetës dhe të drejtësisë.
“Nesër, Prishtina do të jetë zëri i qytetarëve që kërkojnë drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare,” tha ai.
Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi angazhimin e platformës dhe rëndësinë e mobilizimit qytetar.
“Ju përgëzoj për angazhimin dhe mobilizimin qytetar. Do të jetë një marsh madhështor, sepse kur bëhet fjalë për vlerat e luftës çlirimtare, UÇK-ja na bashkon të gjithëve”, deklaroi Haxhiu.
Platforma “Liria ka Emër” falënderoi Kryetaren e Kuvendit për pritjen dhe diskutimin konstruktiv, duke ritheksuar thirrjen që qytetarët të bashkohen në marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet në kryeqytet.

