Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një raport të qëndrueshëm dhe të domosdoshëm në funksion të së ardhmes së përbashkët euroatlantike.
Përmes një deklarimi publik, Osmani bëri të ditur se ka pritur sot në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në një frymë që e cilësoi vëllazërore.
Ajo theksoi se Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë së bashku në çdo sfidë dhe në çdo sukses, me koordinim të ngushtë politik e institucional, si dhe me angazhim të përbashkët në funksion të interesit të qytetarëve.
Sipas presidentes, ky bashkëpunim përfaqëson një vullnet të përbashkët kombëtar për të ecur përpara si dy shtete sovrane, të përkushtuara ndaj zhvillimit dhe integrimit euroatlantik, duke forcuar njëkohësisht lidhjet strategjike dhe institucionale mes dy vendeve.

