Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimi i bashkëpunimit strategjik ishin në qendër të takimit bilateral ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i zhvilluar në Prishtinë me ceremoni zyrtare pritjeje.
Gjatë bisedimeve, dy kryeministrat diskutuan mbi marrëdhëniet ndërshtetërore, zbatimin e marrëveshjeve ndërqeveritare dhe avancimin e projekteve infrastrukturore me interes të përbashkët, si dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit në mandatin aktual të dy qeverive.
Kryeministri Rama e uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe formimin e Qeverisë së re, ndërsa Kurti shprehu mirënjohjen dhe theksoi vullnetin për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, në shërbim të qytetarëve dhe interesit të përbashkët kombëtar.
Në pesë vitet e fundit, bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri ka përfshirë një sërë marrëveshjesh dhe projektesh konkrete, si njësimi i teksteve shkollore, projekte kulturore mbarëkombëtare, si dhe iniciativa infrastrukturore, përfshirë hekurudhën Prishtinë–Durrës. Po ashtu, është avancuar lehtësimi i lëvizjes në zonat kufitare, njohja reciproke e diplomave dhe bashkëpunimi në fusha si energjia, siguria, sporti, transporti, turizmi dhe zhvillimi ekonomik.
Takimi u vlerësua si një hap i radhës drejt konsolidimit të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me synim rritjen e koordinimit politik dhe institucional në funksion të integrimit euroatlantik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

