Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, më 17.02.2026, në tri raste të ndara në veri të vendit janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, aksionet janë ndërmarrë pas pranimit të informatave nga qytetarët se në tri lokacione të ndryshme mund të kishte armë dhe mjete të dyshuara të kundërligjshme.
Rasti i parë – Zubin Potok
Rreth orës 01:20, njësitë policore kanë kryer kontroll në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të komunës së Zubin Potok, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 95 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një emblemë si dhe disa spaleta të Policisë së Serbisë.
Rasti i dytë – Zveçan
Rreth orës 09:20, gjatë kontrollit në një hambar të një shtëpie të braktisur në fshatin Zhitkovc, në komunën e Zveçan, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë të tipit AK-47, një granatë dore M-57 (prodhim jugosllav), tre karikatorë të zbrazët për AK-47, 85 fishekë të kalibrit 7.9 mm, 60 fishekë të armës AK-47, si dhe dy uniforma ushtarake me emblema të Serbisë.
Rasti i tretë – Zubin Potok
Në rastin e tretë, rreth orës 12:20, njësitë policore kanë kontrolluar një tjetër shtëpi të pabanuar në fshatin Varage të Zubin Potokut, ku janë gjetur një granatë dore dhe 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Në rastet e dytë dhe të tretë, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë bërë tërheqjen e mjeteve shpërthyese në mënyrë të kontrolluar.
Të gjitha veprimet janë zhvilluar në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Lidhur me këto raste nuk raportohet për persona të arrestuar.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, duke i inkurajuar që të vazhdojnë të ndajnë informacione që ndihmojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Çdo informacion mund të raportohet në numrin emergjent 192.

