Jakup Krasniqi: “Qëndroj para historisë me nder, për luftën dhe lirinë e Kosovës”

by engel

I fundit që paraqiti fjalën përfundimtare në gjykimin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës ishte ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Në një deklarim të ngarkuar me emocione, në vitin e 16-të të jetës së tij në burg, ai foli para trupit gjykues për atë që e quajti luftë të drejtë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Me një urim për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Krasniqi e nisi fjalën e tij duke theksuar se qëndron para gjykatës jo si kriminel, por si një njeri i formuar në përpjekjet për dinjitet njerëzor.

banner

“Iu uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës, që dje e festuan pavarësinë e Kosovës. Qëndroj para jush jo si kriminel, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftë për dinjitet njerëzor, në një popull që refuzoi zhdukjen nga politikat dhe krimet e gjenocidit të Serbisë”, deklaroi Krasniqi.

Ai theksoi se për më shumë se pesë vjet ndodhet në paraburgim, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të panevojshëm. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe i janë mohuar të drejta themelore të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht e drejta për të jetuar në liri.

“Pas më shumë se pesë vjetësh burgim të padrejtë dhe, sipas mendimit tim, të panevojshëm, angazhimi im politik dhe jetësor për jetë e liri ka nisur herët. Kam qenë i angazhuar që në fillim për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi, kundër politikave të persekutimit dhe gjenocidit të regjimit serb, të cilat sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë për popullin e Kosovës”, u shpreh ai.

Në përmbyllje, Krasniqi vuri theksin te dimensioni njerëzor i qëndrimit të tij në paraburgim, duke theksuar se në fazën e fundit të jetës dëshiron të jetojë vitet e mbetura me dinjitet, pranë familjes dhe në atdheun e lirë. Deklarimi i tij shënoi një nga momentet më të ndjera të këtij procesi gjyqësor, që prej më shumë se pesë vitesh po zhvillohet në Hagë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy