Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, së bashku me drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral-brigadierin Sven Lange, kanë vizituar Qendrën Ndërkombëtare të Stërvitjes së Kërkim-Shpëtimit (SaR) të FSK-së.
Gjatë vizitës, delegacioni u njoh nga afër me kapacitetet operacionale dhe aktivitetet trajnuese të qendrës, përfshirë përgatitjen e ekipeve për reagim në situata emergjente dhe operacione të kërkim-shpëtimit. Sipas njoftimit, u theksua rëndësia e koordinimit dhe profesionalizmit në përballimin e fatkeqësive natyrore apo emergjencave të tjera, në përputhje me mandatin e mbrojtjes civile të FSK-së.
Gjeneralmajor Ulutaş dhe gjeneral-brigadieri Lange vlerësuan përkushtimin e personelit dhe standardet e larta të trajnimit, duke nënvizuar se operacionet efektive të kërkim-shpëtimit janë thelbësore për sigurinë publike dhe reagimin e shpejtë në raste krize.
Në postim thuhet se vizita të tilla kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet KFOR-it, NALT-it dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë, në funksion të sigurisë së qëndrueshme në vend dhe stabilitetit rajonal.

