Qeveria britanike po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një projektligji për ta hequr Andrew Mountbatten-Windsor nga radha e trashëgimisë mbretërore.
Ministri i Mbrojtjes Luke Pollard i tha BBC-së se masa – e cila do ta pengonte Andrew të bëhej ndonjëherë Mbret – ishte “gjëja e duhur për t’u bërë”, pavarësisht nga rezultati i hetimit policor.
Aktualisht Andrew, vëllai i Mbretit, mbetet i teti në radhë për fronin pavarësisht se iu hoqën titujt e tij, përfshirë “princ”, tetorin e kaluar për shkak të presionit për lidhjet e tij me financierin pedofil tashm% të ndjerë Jeffrey Epstein, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Të enjten në mbrëmje, Andrew u lirua nën hetim 11 orë pas arrestimit të tij me dyshimin për keqpërodim në detyrën publike. Ai ka mohuar vazhdimisht dhe me forcë çdo shkelje.
Duke folur në emisionin AnyQuestions në BBC Radio 4, Pollard konfirmoi se “absolutisht” qeveria kishte punuar me Buckingham Palace për planet që synojnë të ndalojnë ish-princin që të jetë “potencialisht një vetëm një hap larg fronit”.
Ai tha se kjo është “diçka që shpresoj të ketë mbështetje ndërpartiake, por është e drejtë që të ndodhë vetëm pasi të përfundojë hetimi policor”.
Të premten, makina dhe furgonë policie pa shenja dalluese u panë duke hyrë e dalë nga Royal Lodge, prona me 30 dhoma në Windsor ku Andrew ka jetuar për shumë vite.
Në një moment, më shumë se 20 automjete mund të shiheshin të parkuara në pronë, megjithëse nuk dihet nëse të gjitha ishin të lidhura me hetimin dhe kontrollet.

