Tahiri: Opozita ose do të bashkohet për presidentin, ose do të jetë e thyer përgjatë kohës

by informim peje

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar se opozita rrezikon të mbetet e përçarë nëse nuk arrin koordinim për çështjen e presidentit.

Tahiri bëri të ditur se AAK-ja ka dërguar para disa javësh një letër te kryetarët e Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës për të diskutuar rreth një qëndrimi të përbashkët, por sipas tij, ende nuk ka pasur një takim mes tyre.

banner

“Si bllok opozitar ose do të ndërtohemi në këtë nisje, ose do të jemi të thyer. Është totalisht problematike që po hyjmë në javën e fundit pa një diskutim serioz se çfarë do të bëjmë”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Tahiri shtoi se mungesa e koordinimit opozitar ka sjellë pasoja edhe në legjislaturën e kaluar, duke theksuar se zgjedhjet e fundit, sipas tij, erdhën si rezultat i mosmarrëveshjeve brenda opozitës dhe jo për shkak të kryeministrit Albin Kurti.

Ai theksoi se opozita duhet të vendosë nëse do të marrë pjesë në garë me një kandidat konsensual apo do të mbajë një qëndrim të qartë politik për mospjesëmarrje, duke nënvizuar se nuk kanë kërkuar nënshkrime për Ramush Haradinajn, por koordinim për të shmangur përsëritjen e gabimeve të legjislaturës së kaluar.

Duke folur për procesin, Tahiri u shpreh skeptik se Vjosa Osmani mund të sigurojë 30 nënshkrimet e nevojshme pa mbështetjen e shumicës.

“Këtë mundësi mund t’ia japë vetëm Albin Kurti”, deklaroi ai.

Sa i përket presidentes Osmani, Tahiri ka thënë se ajo ka pasur përfaqësim të mirë jashtë vendit me pak rezultate, por brenda ka qenë, sipas tij, në funksion të plotë të agjendës së Qeverisë, gjë që e vë në pozitë të vështirë politike.

Ai shtoi se një emër nga familja Jashari për president do të ishte nder për Kosovën.

Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 4 mars të zgjedhë presidentin e ri, një muaj para se t’i skadojë mandati Osmanit./Koha

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy