Në fshatin Baballoq të Deçanit është mbajtur ceremonia e rivarrimit të dëshmorit Agron Gjocaj, i cili për 28 vjet ishte në listën e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ceremonia u zhvillua në praninë e familjarëve, bashkëluftëtarëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë, ndërsa u shoqërua me nderime ushtarake dhe homazhe.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili rikujtoi periudhën e luftës që, siç tha ai, e kishte kaluar së bashku me Gjocajn në vijën e frontit në Baballoq.
Haradinaj e cilësoi ditën si një moment të dhimbshëm, por njëkohësisht lehtësues për familjen dhe bashkëluftëtarët. Ai theksoi se kthimi i eshtrave të dëshmorit në vendlindje përbën një akt nderimi dhe përmbylljeje pas një pritjeje të gjatë e të rëndë për familjen.
Në fjalën e tij, ai kujtoi betejat e zhvilluara në zonën e Dukagjinit, duke theksuar rëndësinë strategjike të vijës së frontit në Baballoq gjatë luftës dhe përpjekjet për të mbajtur të hapur zonat e lira. Sipas tij, sakrifica e Gjocajt dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë ishte pjesë e angazhimit për lirinë e vendit.
“Është festë për faktin se djali i juaj, djali i jonë, bashkëluftëtari i jonë, ra për liri në fushë të nderit, e sot po kthehet në shtëpinë e vet”, u shpreh Haradinaj, duke shtuar se rivarrimi përbën një lehtësim shpirtëror për të gjithë ata që ndanë me të idealin dhe sakrificën.
Ceremonia u përmbyll me homazhe pranë varrit të dëshmorit dhe nderime ushtarake, në kujtim të jetës dhe kontributit të tij për lirinë e Kosovës.

