Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka vizituar Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) në kuadër të 17-vjetorit të themelimit të saj dhe 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Sipas postimit të tij, Kurti është pritur nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, si dhe nga stafi drejtues i agjencisë. Gjatë vizitës janë ndarë certifikata për zyrtarët e rinj dhe është përuruar një objekt i ri në kompleksin e institucionit.
Kryeministri ka theksuar se inteligjenca përbën një nga hallkat më të rëndësishme në mbrojtjen e sovranitetit, duke garantuar përgatitjen e vendit për sfida të ndryshme dhe mbështetjen e vendimmarrjes së informuar. Ai ka nënvizuar se Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për sektorin e sigurisë, përfshirë rritjen e buxhetit për AKI-në.
Në postimin e tij, Kurti ka vlerësuar avancimin e kapaciteteve teknologjike, analitike dhe operative të agjencisë, si dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë. Ai ka përmendur gjithashtu trajtimin e kërcënimeve si spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi, radikalizmi dhe krimi i organizuar.
Në përfundim, Kurti ka shprehur mirënjohje për stafin e AKI-së, duke e cilësuar punën e tyre si një mision në shërbim të sigurisë së Republikës dhe qytetarëve të saj.

