Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook për një takim me Presidentin e Këshillit të Qytetit të Stokholmit, Olle Burell, gjatë vizitës në Stockholm.
Sipas Ramës, mikpritja nga Burell ishte e veçantë dhe gjatë takimit ai u njoh nga afër me historinë institucionale të Komunës së Stokholmit, të cilën e cilësoi si dëshmi se transformimi urban është rezultat i vizionit afatgjatë dhe politikave të qëndrueshme.
Në shenjë mirënjohjeje, delegacioni nga Prishtina i dhuroi një vepër të artistëve vendorë, si përfaqësim i kulturës dhe krijimtarisë që vjen nga kryeqyteti i Kosovës.
Rama theksoi se Stokholmi është shembull i shndërrimit të ambicies mjedisore në standard jetese, me më shumë transport publik dhe alternativa të pastra, më pak ndotje dhe më shumë cilësi jete. Ai shtoi se bashkëpunimi mes dy kryeqyteteve nuk është vetëm partneritet institucional, por një aleancë vizioni për ndërtimin e qyteteve që mendojnë për brezat e ardhshëm.

