Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do të paraqitet sërish sot në sallën e gjyqit.
Në seancën e mbajtur më 15 janar, prokurorja Firkije Fejzullahu deklaroi se, pas administrimit të provave, do të arrihet zbardhja e plotë e gjendjes faktike dhe provimi i fajësisë së të akuzuarve. Ajo theksoi se Krasniqi, pa kontrata apo autorizime ligjore, kishte kërkuar udhëzime dhe referenca nga i akuzuari Isuf Zejna lidhur me tenderimet e KEK-ut, si dhe kishte autorizuar në mënyrë të kundërligjshme Dejona Mihalin për të dhënë opinione dhe vendime në lidhje me to.
Sipas prokurores, gjatë procesit gjyqësor do të vërtetohet qëllimi dhe dashja për kryerjen e veprave penale, si dhe dëmi i shkaktuar ndaj KEK-ut dhe qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Vyrtyt Ibrahimaga, ka deklaruar se Prokuroria po i dramatizon veprimet e të akuzuarit, të cilat, sipas tij, janë thjesht veprime menaxheriale. Ai theksoi se nuk janë përmbushur elementet objektive të veprës penale, pasi askush nuk ka përfituar në mënyrë të jashtëligjshme dhe nuk është shkaktuar dëm.
Mbrojtja shtoi se Krasniqi ka vepruar gjithmonë në interes të ndërmarrjes dhe për përmbushjen e detyrave brenda afateve të shkurtra.
Vetë Krasniqi e ka cilësuar aktakuzën si të montuar dhe ka theksuar se qëndrimi i tij pesëmujor në paraburgim ka qenë i padrejtë.
Sipas aktakuzës, ai, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën, akuzohet për dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë prej rreth 37 milionë euro.
Gjykata Themelore, më 23 prill 2025, pati aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes, duke e hedhur poshtë aktakuzën për veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa pjesa tjetër ishte rikualifikuar në “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën dhe ka vendosur që procedura penale për pesë vepra penale ndaj Krasniqit të vazhdojë sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Në seancën fillestare, më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm. Ndërsa Ymer Dragusha, një tjetër i akuzuar në këtë rast, ka pranuar fajësinë pas arritjes së marrëveshjes me Prokurorinë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 30 dhjetor 2024, ngriti aktakuzë të re ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, si dhe ndaj Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës. Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ndërsa Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Isuf Zejna, në anën tjetër, akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

