10 vjet nga zgjedhja e Hashim Thaçit president, mes gazit lotsjellës dhe tensioneve në Kuvend

by informim peje

Kanë kaluar dhjetë vjet që nga dita kur Hashim Thaçi u zgjodh president i Kosovës, në një nga seancat më të tensionuara në historinë parlamentare të vendit.

Më 26 shkurt 2016, në atë kohë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Thaçi arriti të zgjidhet në raundin e tretë të votimit me 71 vota. Dy votimet e para rezultuan të pasuksesshme, pasi ai nuk mori mbështetjen e dy të tretave të deputetëve, siç parashihet me Kushtetutë.

banner

Procesi i zgjedhjes u shoqërua me kundërshtime të forta nga opozita. Deputetët opozitarë ndërprenë dy herë seancën plenare duke hedhur gaz lotsjellës në sallë, në shenjë proteste ndaj kandidaturës së tij.

Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e opozitës e kundërshtuan ashpër zgjedhjen e Thaçit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e asaj kohe, Isa Mustafa, për vendimmarrje që, sipas tyre, kishin cenuar interesat shtetërore. Theksi i kritikave u vendos te marrëveshjet e dialogut me Serbinë dhe ajo për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Po ashtu, opozita ngriti dyshime se mund të ketë pasur marrëveshje politike me Listën Serbe, duke pretenduar se vota e saj në favor të Thaçit mund të ketë ardhur si rezultat i lëshimeve të mundshme.

Ndërkohë, jashtë Kuvendit situata ishte e tensionuar. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe automjete me ujë për të shpërndarë protestuesit që kundërshtonin zgjedhjen e presidentit. Gjatë përleshjeve, disa protestues hodhën mjete ndezëse në drejtim të policisë.

Si pasojë e incidenteve, u raportua për 11 policë të lënduar, si dhe një protestues.

Hashim Thaçi e mori zyrtarisht mandatin presidencial më 7 prill 2016, pas betimit të dhënë në Kuvendin e Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy