Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar përmes një postimi publik zhvillimet e para në kuadër të mandatit të ri qeverisës, duke theksuar se është mbajtur takimi i parë ndërministror i fokusuar në hartimin e Projektligjit për Industrinë e Mbrojtjes.
Sipas tij, ky takim përbën një hap kyç drejt krijimit të bazës ligjore për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend. Maqedonci bëri të ditur se, së bashku me ministren Mimoza Lila-Kusari kanë diskutuar konceptin fillestar, strukturën organizative dhe mekanizmat institucionalë që do të shërbejnë për transformimin e këtij sektori strategjik.
Ministri theksoi se projektligji synon të krijojë kushte për një zhvillim të qëndrueshëm dhe ndërsektorial, duke e shndërruar industrinë e mbrojtjes në një shtyllë të inovacionit dhe të forcimit të sigurisë kombëtare.
Ai paralajmëroi se në ditët në vijim grupi punues do të përmbyllë koncept-dokumentin dhe do të procedojë me hartimin e draftligjit, duke shënuar kështu hapin e radhës drejt operacionalizimit dhe zhvillimit konkret të industrisë së mbrojtjes.

