Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë si të pabazuar kallëzimin penal të paraqitur nga profesori Enver Hasani, i cili pretendonte se avancimi në profesor të rregullt i rektorit aktual të Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, në vitin 2022, ishte i kundërligjshëm.
Sipas aktvendimit të datës 20 shkurt 2026, Prokuroria ka konstatuar se pretendimet e ngritura nga Hasani nuk mbështeten në fakte dhe nuk përbëjnë bazë për ndjekje penale.
Në komunikatë thuhet se pas marrjes së detyrës më 1 tetor 2024, Hajrullahu kishte gjetur një shkresë të përcjellë me dokumentacion nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, në të cilën, sipas njoftimit, evidentohej se Hasani kishte bërë deklarim të rremë nën betim pranë këtij institucioni. Po ashtu, bëhet e ditur se rektori kishte hasur edhe një vendim të Këshillit të Etikës të Universiteti i Prishtinës për masa disiplinore ndaj ish-rektorit Hasani.
Sipas reagimit, në kuadër të kompetencave të tij ligjore, rektori i ka trajtuar këto çështje në mënyrë procedurale, duke i referuar ato në organet kompetente për shqyrtim të pavarur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe në strukturat e brendshme të universitetit.
Më tej theksohet se me vendimin e 18 prillit 2025, Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Hasanit ndaj Hajrullahut.
Në reagim nënvizohet se që nga marrja e detyrës, Hajrullahu ka ndërmarrë hapa për forcimin e ligjshmërisë, meritokracisë dhe mbrojtjes së pronës institucionale të universitetit. Sipas komunikatës, këto përpjekje reformuese kanë sjellë kundërshtime nga aktorë të ndryshëm, ndërsa akuzat ndaj rektorit cilësohen si pjesë e një dinamike më të gjerë që synon krijimin e paqartësive në opinionin publik dhe ushtrimin e presionit ndaj proceseve reformuese.

