Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Gerard McGurk, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe prioritetet institucionale të vendit.
Ambasadori McGurk e ka uruar Kurtin për mandatin e ri qeverisës, duke rikonfirmuar përkushtimin e Misionit të OSBE-së për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës në fusha kyçe.
Sipas njoftimit, gjatë takimit është theksuar rëndësia e thellimit të reformave demokratike, forcimit të sundimit të ligjit dhe garantimit të të drejtave të komuniteteve. Palët kanë vlerësuar se bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërinstitucional mbetet thelbësor për konsolidimin e institucioneve dhe përparimin demokratik.
Kryeministri Kurti ka falënderuar ambasadorin McGurk dhe Misionin e OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke theksuar rolin e tyre në fuqizimin e institucioneve dhe proceseve demokratike në vend.

