Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur programin zyrtar të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së UÇK-së, që do të zhvillohen më 5, 6 dhe 7 mars në të gjithë vendin.
Agjenda përfshin aktivitete solemne, homazhe, ekspozita, evente sportive dhe programe artistike. Ceremonitë parashikojnë mësime kushtuar Epopesë në shkolla, seanca solemne në kuvendet komunale, rreshtimin e kuadrateve të FSK, gara volejbolli, homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ekspozita dhe Akademi përkujtimore me pjesëmarrjen e Operas dhe Filarmonisë së Kosovës.
Festimet do të përmbyllen më 7 mars me “Natën e Zjarreve” në Prekaz dhe ndezjen e flakadanëve në shtatë rajone të vendit, duke rikujtuar sakrificën dhe heroizmin e luftëtarëve të UÇK-së.

